Gjergj Vyshka 08.10.2016 19:25
Më 10 shtator, “Sport Ekspres” pati botuar një shkrim të Aleksandër Bojaxhiut për mungesën e vendosjes së tabelës, e cila duhet të mbante mbishkrimin për fillimin e veprimtarisë së parë zyrtare të këtij sporti në vend. Bëhet fjalë për 60 vjet më parë, më saktë më 18 korrik 1956, ndërsa pikërisht në Theth, e cila është një nga zonat kryesore në Alpet e Shqipërisë, ka nisur dhe veprimtaria e parë zyrtare në vend.
Dhe për të korrigjuar gabimin që Bojaxhiu e ka evidentuar në “Sport Ekspres”, sipas informacionit që ka sjellë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çuke, ka shërbyer grupi i Elbasanit me në krye trajnerin Artur Guni që ka bërë një ngjitje në Theth, si dhe ka vendosur tabelën e duhur që evidenton veprimtarinë e parë zyrtare të kryer më 1956 në këtë vend.
Veprimtaria më 1956-ën është zhvilluar nga grupi që është kryesuar prej Minella Kapos dhe më pas ka pasur për anëtarë Luigj Shalën, Vasil Stambulin, Petraq Kulen, Manon Bozaxhiun, Myftar Markun, Grigor Perikliun, Vehbi Seitin, Bardhyl Saqillarin, Dhimitër Banushin, Koço Qafzezin, Kozma Grillon, Andrea Berberi. E të gjithë së bashku më 1964 do të themelonin dhe Federatën Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor.
Më 1958-ën, gjithnjë sipas historive të paraqitura nga Ssekretari Çule, është krijuar lëvizja studentore alpinistike. Dhe për nder të kësaj gjëje në Theth është rivendosur pllakën e lëvizjes së parë alpinistike 60 vjet më parë.