Gjergj Vyshka 03.03.2016 20:45
Sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule, shoqata “High Albania” ka realizuar së fundmi një ngjitje në malin e Gramozit. “Ndryshe nga shoqatat e tjera që bëjnë vetëm stërvitje, specifika e Alpinizmit është e atillë që zhvillohen ngjitjen në male nga shoqata e klube të ndryshme”, – ka thënë ai.
“Dhe janë ngjitje që jo pak herë e kalon numrin 100 të pjesëmarrësve dhe në to ftohen dhe anëtarë të tjerë të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, e cila dhe në kushte dimërore arrin të zhvillojë veprimtari, – ka shtuar Çule. – Janë veprimtari që zhvillohen dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa janë veprimtari të cilat plotësojnë më së miri dhe kalendarin e Federatës Shqiptare të Alpinizmit.”
Ndërkohë, nga data 4, deri më 6 mars 2016, Federata Shqiptare e Alpinizmit do të zhvillojë ngjitjen dimërore në Kollatë të Valbonës, atje ku do të marrin pjesë rreth 15 ekipe me rreth 100 alpinistë. Sipas Çules konsiderohet një ngjitje e vështirë, ndërsa ekipet duhet të jenë të pajisur me bazë materiale, atje ku duhet të kenë kthetra, kazma, litarë sigurie.
Kollata ka një lartësi prej 2,525 metra, kurse Rosi 2,521 metra. E kjo majë e dytë do të ngjitet nga alpinistët më të specializuar. Ndërkohë Federata Shqiptare e Alpinizmit u ka uruar suksese atyre që do të ngjiten në këtë fundjavë në Valbonë.