Gjergj Vyshka 08.03.2016 11:35
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës, Ilirjan Çule, alpinizmi shqiptar ka kryer ngjitjen më të vështirë në këto 25 vitet e fundit. Bëhet fjalë për ngjitjen dimërore në Valbonë ose më saktë në majën e Kollatës. Në fakt në ekspeditë kanë marrë pjesë 80 alpinistë prej të cilëve vetëm 51 kanë arritur në majë.
Dhe këta alpinistë kanë përfaqësuar 12 klube e shoqata sportive, të cilat janë: High Albania, AST Elbasani, SHBA Tirana, Shoqata Alpinistike “Partizani”, Shoqata “Alpet Shqiptare”, Tomori, Valbona, Shoqata Shumësportëshe “Tërbuni”, Shoqata e Skautistëve dhe Alpinistëve Kruja, Shoqata “Dajti-Alpino Turistik”, Shoqata Alpino-Turistike “Vlora” dhe Përmeti.
Madje të ftuar kanë qenë edhe nga Kosova e Tetova. Shoqata Hig Albania, sipas informacionit që jep Çule, ka pasur numrin më të madh të sportistëve që pushtuan majën. Në fakt ajo që bën surprizën është se presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Jani Ziso, ka sfiduar moshën.
Kurse heronj të ditës do të ishin Marlen Malaj dhe Ervin Dervishi, të cilët bën të mundur kalimin e alpinistëve në dy shtigje të vështira në Valbonë. Federata Shqiptare e Alpinizmit ka falënderuar dy drejtuesit e kësaj veprimtarie, të cilët ishin Fisnik Muça dhe Murat Seci.
Alpinisti më i ri që sfidoi gjithçka dhe u ngjit në majë ishte Boris Tapia, ndërsa Federata Shqiptare e Alpinizmit ka shpërndarë ka shpërndarë certifikata mirënjohje për të gjithë. Pas 15 orësh ngjitjeje, ndërsa alpinistët i ka ndihmuar dhe koha të shtunën, teksa nuk pati as borë e as shi, alpinistët ia arritën qëllimit duke u ngjitur në Kollatë.