Gjergj Vyshka 08.12.2016 16:15
I ati i Alesia Nezirit, Sajmiri, ka lajmëruar kjo notare, e cila ka garuar dje në 100 metra stil i lirë dhe pardje në 200 metra stil i lirë ka qenë e sëmurë. “Duhet të dini, – thotë babai i sportistes së re, – se po i bën garat duke qenë e sëmurë me temperaturë 38-39 gradë. Dhe ky është shkaku që po del keq në rezultate, ndërsa ekipi nuk ka as mjek për t’i dhënë ndonjë mjekim të mundshëm.”
“E kundërta ndodh me ekipet e tjera, të cilat kanë fizioterapistë dhe mjek me vete, – ka vijuar Sajmir Neziri. – Mos harroni që bashkë me delegacionin sportiv të notit kanë shkuar dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, sepse kjo është Shqipëria. Alesia është notarja më e vogël në moshë e Botërorit, kur të tjerët janë nga 17, deri në 25 vjeç”.
E megjithatë, parë dhe dje në ndeshjen e basketbollit Tirana-MKK Feni Industries, Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, ndodhet në Shqipëri, sikurse ka konfirmuar që nuk ka shkuar as Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Plarent Ndreca, për çka u fol dhe ditë më parë.
Megjithatë, konfirmuar dhe nga trajneri i kombëtares së notit, Arjan Fetishaj, Alesia Neziri ka garuar me temperaturë, ndërsa gjendja e saj ka qenë më e mirë dje.