AlbanianSport.com 08.02.2016 07:55
ASNN – Mirënjohje nga Federata Shqiptare e Futbollit, nderim nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, titulli “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe shumë fjalë të mira për njeriun që iku përpara kohe. “Tre vjet pa Alfred Ziajin”. Ky ishte aktiviteti që është zhvilluar dje në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë nën kujdesin dhe monitorimin e gazetarit sportiv Moisi Dalipi. “Janë dy data për t’u kujtuar, së pari tre vjet pa Alfred Ziajin e së dyti sepse sot ai mbush 55 vjeç”, – ka kujtuar veterani vlonjat i gazetarisë sportive. – Jo vetëm kaq, por më 8 shkurt 1985 Flamurtari ka fituar Kupën e parë të Shqipërisë dhe një natë më parë shokët me një tortë kanë festuar ditëlindjen e Fredit që sot na mungon të gjithëve.”
“U mungon familjes, gruas, fëmijëve, babait Kujtimit, vëllezërve dhe motrave, – ka vijuar Dalipi. – Por mbi të gjitha i mungon miqve dhe kjo sallë e mbushur plot tregon se Fredi i ka dashuar të gjithë. Veçse nuk mundi të fitonte dot një luftë, atë që iku përpara kohe dhe perëndia e deshi më përpara për vete”. Këto janë fjalët hapëse të Moisi Dalipit, ndërsa dokumentari prej 16 minuta i Radio-Televizionit Shqiptar, mes rrëfimeve të miqve të tij e ka sjellë Fredin të gjallë për të gjithë miqtë që ishin në atë sallë. Ka mallëngjim, ka lot, sepse ishte një ikje përpara kohe. Dhe menjëherë kanë ardhur nderimet.
I pari i ka takuar presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili ka dhënë një dedikim, sepse Alfred Ziaji ishte dhe shpërndarësi i frymës olimpike. Më pas ka ardhur titulli “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Futbollit, që është dorëzuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Tahir Kastrati, si dhe përgjegjësi zyrës rajonale të Fierit, Maksim Tegu. Bashkë me Mirënjohjen një fanellë e kombëtares me numrin 9, si dhe një top, të cilin e kanë firmosur të gjithë bashkohësit e tij. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës, Vojsava Shkurtaj, u ka dorëzuar familjarëve titullin “Qytetar Nderi” për Alfred Ziajin.
E për të gjithë bashkohësit, ish-lojtarë dhe ish-trajner të Flamurtarit, është shpërndarë nga një medalje. Jo vetëm kaq, por ka ardhur dhe një përshëndetje nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, e cila si mikeshë ka bërë edhe një puthje me dorë pranë fotografisë së tij. “Sepse ne na mungon zëri i tij, – ka kujtuar ajo. – Edhe atëherë kur të kishte ndonjë hall, ai të hidhte dorën në qafë dhe të ndihmonte të zgjidhte problemin. E kam njohur kur kam hyrë në politikë tek Partia Aleanca Demokratike.”
“Por e kam njohur dhe atëherë kur më kërkoi ta ndihmoja të ishte pjesë e Universitetit të Sporteve dhe për këtë gjej rastin të falënderoj rektorin Vesel Rizvanolli. Faleminderit Fredi që na mblodhe dhe një herë bashkë”, – ishte mesazhi i Malajt. Kurse në emër të familjes, edhe pse në një moshë 82-vjeçare, ka përshëndetur i ati Kujtimi dhe në mbyllje një këngë për Alfred Ziajin nga grupi “Çiflik”.