AlbanianSport.com 08/09/2021 21:00
ASNN – Një anëtar i stafit rezulton pozitiv me “Covid-19”. Alarm tek përfaqësuesja argjentinase e futbollit. Pas testeve të kryera në mëngjes, njëri nga anëtarët e stafit ka rezultuar pozitiv me virusin korona. Bëhet fjalë për kuzhinierin e ekipit, i cili u konfirmua pozitiv nga testi i PCR-së. Ai është i izoluar tashmë nga pjesa tjetër e delegacionit, si dhe të gjithë kontaktet e tij të ngushta.
Lajmi është publikuar nga vetë ekipi argjentinas, i cili ka bërë edhe një feste në mbrëmje dhe të gjithë ishin të shqetësuar. Por testet e kryera tek futbollistët dolën negative për të gjithë ata. Në këtë mënyrë, skuadra argjentinase vazhdon të përqendrohet në ndeshjen kundër Bolivisë, e vlefshme për grupin eliminator të Amerikës së Jugut.
Në këtë ndeshje, skuadra bardhekaltër do të luajë para publikut, sigurisht të reduktuar në numër, që rikthehet në stadium pas masave të rrepta të për shkak të epidemisë së “Covid-19”. Tashmë si kampionë të Amerikës së Jugut, futbollistët e trajnerit Lionel Skaloni do të luajnë në Stadiumin “Monumental”, pas atij incidenti aspak të këndshëm që kaluan në Stadiumin “Korinthians Arena”.
Incident i cili shkaktoi pezullimin e ndeshjes kundër Brazilit vendas, vetëm pas pak minutash lojë. Argjentina po kërkon 3 pikët e fitores në tavolinë, që do të ishin një hap i madh drejt Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, tani duke qenë e dyta në grup me 15 pikë, në pritje të asaj që FIFA do të vendosë për fatin e ndeshjes midis dy gjigandeve amerikanolatine.