AlbanianSport.com 21/05/2020 19:25
ASNN – Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Suprem të ngarkuar për organizimin e Botërorit të futbollit në 2022-shin, Hasan Al-Thauadi, zotohet se vendi i tij do të zhvillojë një turne “të përballueshëm” në Katar, mes frikës së një recesioni global pas epidemisë së shkaktuar nga virusi korona. “Ne kemi thënë gjithmonë nga dita e parë që ky do të jetë një turne i përballueshëm dhe kushdo që dëshiron të jetë në gjendje të vijë në Botëror, duhet të jetë në gjendje të vijë, pra të jetë i gatshëm”, – tha ai.
“Ne demonstruam se gjatë Botërorit të klubeve, ku kishte tifozë nga vende të ndryshme të botës, treguam se arritëm të përballojmë akomodimin e tyre”, – shtoi zyrtari arab. Duke folur në konferencën e “LeadersWeek.direct”, Al-Thauadi pranoi se ishte i shqetësuar për tifozët që nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Lindjen e Mesme, pasi ekonomia është prekur nga kriza e virusit korona. “Ka shumë probleme mbi punësimin, jetesën”, – ka pohuar ai.
“E problemi më i madh tani është shërimi nga virusi dhe se si do të bëhet kalimi i kësaj gjendje të rëndë, – vijoi Al-Thauadi. – Tani është e paqartë. Po hyjmë në një recesion dhe nuk ka dyshim se ekziston shqetësimi për ekonominë globale dhe aftësinë e tifozëve për të përballuar udhëtimet dhe për të lejuar ardhjen dhe marrjen pjesë në festën e këtij Botërori”.
Katari ka vijuar përgatitjet e tij për Botërorin 2020, pavarësisht përhapjes së COVID-19, i cili sipas shifrave zyrtare ka infektuar rreth 34,000 njerëz në vend.