AlbanianSport.com 02/05/2020 20:55
ASNN – Ata janë dy lojtarë që padyshim kanë bërë epokë në futbollin e, përkatësisht, çerekshekullit të fundit të mijëvjeçarit të shkuar dhe çerekshekullit të parë të mijëvjeçarit të ri. Të dy kanë lindur në Argjentinë dhe tanimë është një bashkatdhetar i tyre, një njeri që ka qenë në muzgun e njërit dhe në agimin e tjetrit, ai që ofron një këndvështrim interesant, madje duke ofruar edhe një metaforë të goditur. “Unë luajta me të dy, si me Diego Armando Maradonën, ashtu edhe me Lionel Mesin”, – ka thënë zëvendëstrajneri i Argjentinës, Roberto Ajala, duke folur për rrjetin televiziv amerikan, “Fox Sports”.
Ajala, i cili aktualisht është pjesë e stafit stërvitor të trajnerit Lionel Skaloni me përfaqësuesen argjentinase, është me fat që ka luajtur me të dy bashkatdhetarët e tij gjatë karrierës. Maradona po i afrohej fundit të kohës së tij si yll me bardhekaltërit amerikanolatinë, kur Ajala e nisi me përfaqësuesen më 1994-ën, ndërsa Mesi mbërriti aty disa vite para se mbrojtësi klasik të largohej më 2007-ën. Njëri është fitues i Botërorit më 1986-n dhe finalist më 1990-ën, dhe tjetri figurë legjendare e Barcelonës, por ata janë padyshim midis më të mëdhenjve të të gjitha kohërave.
Natyrisht, mes tyre ekziston edhe krahasimi se cili mund të konsiderohet më i miri. Ajala thotë se dy bashkatdhetarët e tij janë shumë “të ndryshëm” për t’u vendosur në të njëjtën “peshore”. Lionel Messi dhe Diego Armando Maradona nuk mund dhe nuk duhet të krahasohen, thotë Roberto Ajala, i cili luajti me të dy legjendat argjentinase. Ai e konsideron të parin si “Speedy Gonzalez” (personazh e filmave vizatimor, të portretizuar si “miu më i shpejtë në të gjithë Meksikën”), ndërsa i dyti ishte “art i pastër”. “Me Diegon hodha hapat e mia të parë në përfaqësuese, – kujton Ajala, tanimë 47-vjeçar.
“Janë dy gjigantë të futbollit, – ka vijuar ish-qendërmbrojtësi, që ndër të tjera ka luajtur me River Plejtin në Argjentinë, me Napolin dhe Milanin në Itali, e me Valencian dhe Saragozën në Spanjë. – Edhe kur të dalë “në pension”, Mesi do të mbahet mend. Nuk e di nëse do të jetë si Diego, por kjo nuk ka rëndësi. Ata janë të ndryshëm. Diego ishte art i pastër, në të gjitha mënyrat e tij si futbollist, Mesi është një “Speedy Gonzalez”, që e mban topin dy centimetra nga këmbët e tij.” Maradona pushtoi botën me Argjentinën, ndërsa pati përvoja të paharrueshme me Boca Zhunjorsin dhe Napolin.
Mesi, ndërkohë, ka fituar 6 herë “Topin e Artë”, duke thyer rekorde të panumërta gjatë kohës së tij me Barcelonën. Por 32-vjeçarit i mbetet mbi kurriz dështimi në përpjekjet për t’u shpallur “kampion i botës”, çka padyshim që do ta barazonte me Maradonën. Ai ishte shumë pranë në 2014-ën, por, siç kishte ndodhur me Diegon në “Italia ‘90”, edhe Mesi u mposht minimalisht nga Gjermania. Po ashtu ai ka dështuar me Argjentinën edhe në turneun amerikanojugor, “Kupën e Amerikës” dhe ka patur edhe akuza nga tifozeria e vendit të tij të lindjes që nuk jep me përfaqësuesen atë që jep me Barcelonën.