AlbanianSport.com 13/01/2017 14:20
ASNN – Piloti shqiptar deklaron: “Kjo kupë më jep nxitje që me kombëtaren shqiptare të jap rezultate më të larta në veprimtaritë ndërkombëtare në vazhdim.” Xhonatan Islami është më i miri i aeronautikës shqiptare për vitin 2017. Një ceremoni që është zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Kulturës, sepse aeronautika, ashtu siç e kanë theksuar dhe të pranishmit, është një sport që bashkon dhe kulturën, edhe promovon turizmin shqiptar.
Ndaj dhe të gjithë janë ndjerë mirë në Ministrinë e Kulturës, ndërsa kupa për Xhonatan Islamin ka ardhur nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla. Për Islamin “junior” kjo kupë do të jetë një nxitje e madhe për rezultate më të larta në veprimtaritë ndërkombëtare. “Edhe duke qenë pjesë e ekipit kombëtar, shpresoj që ky trofe të më nxisë për të dhënë rezultate të larta në turnetë ndërkombëtare në vazhdim”, – ka thënë Xhonatani.
Transmetimi direkt i Kampionatit Botëror të Fluturimeve të Lira me Precizion në Vlorë nga data 5, deri më 14 maj, Kampionati Kombëtar në gusht në Vlorë, apo dhe “Korça Open” në dhjetor i ka dhënë të tjera përmasa këtij sporti. Ndaj dhe drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, njëkohësisht drejtor i veprimtarive, apo dhe trajner i ekipit kombëtar, Alket Islami do të deklaronte: “Një falënderim i veçantë shkon për Radio Televizionin Shqiptar, që na kanë ndihmuar në promovimin e turneve të hapura.”
“Por imazhi i transmetimit të Radio Televizionit Shqiptar ka mbërritur deri në Afrikë apo dhe Azi, – ka vijuar ai. – E tashmë kthim pas nuk ka, ndërsa finalet e Botërorit më 2018-ën në Korçë do të jenë përsëri një bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar”. Përtej kësaj, presidenti i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Renis Tërshana, që është njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka vlerësuar se Xhonatan Islami është tashmë një pilot profesionist.
“Është një personazh që tashmë gjithçka e bën me pasion dhe me shumë dashuri. E kjo duket në çdo fluturim të tijin”, ka thënë Tërshana. Sakaq, kreu i KOKSH-it, Viron Bezhani, është më shumë krenar me aeronautikën. “Nëse deri dje, – thotë i pari i olimpizmit shqiptar, – e kemi cilësuar aeronautikën shqiptare federatë të vogël, sot ne krenohemi me arritjet e saj. Dhe nuk ka nevojë për shumë koment”. Më pas, ceremonia është mbyllur me pamjet e veprimtarive të vitit 2017. Kupa e Botës në Korçës gjatë vitit 2018 është një tjetër sinjal i mirë për aeronautikën shqiptare.