AlbanianSport.com 04.05.2017 13:25
ASNN – Vlora po përgatitet të mirëpresë Botërorin e Aeronautikës, në disiplinën fluturime me precizion. Prej disa ditësh, pilotët që do të marrin pjesë kanë nisur të tejmbushin qytetin, duke nisur provat në zonën e plazhit të ri përgjatë Lungomares.
“Ky është një aktivitet i rëndësishëm. Kam qenë disa herë në Vlorë dhe jam i kënaqur që rikthehem. Jemi duke bërë prova sepse edhe pak ditë nis botërori. Jam anëtar i kombëtares së aeronautikës së Sllovenisë. Shpresoj që ky do të jetë një aktivite shumë i bukur” thekson garuesi slloven.
“Vij nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo është hera ime e parë që vij në Shqipëri. Jam i kënaqur që jam këtu dhe uroj që të zhvillohet një kampionat i bukur. Vlora është fantastike, natyra, gjithçka. Nganjëherë edhe ne trembemi kur fluturojmë, kryesisht në start, por ky është një sport i sigurt që gjithsecili mund ta ushtrojë” shprehet piloti britanik.
Ndërsa nga Rusia ka mbërritur në qytetin bregdetar, një pilot 17-vjeçar, i cili ka shprehur përshtypjet e tij për botërorin dhe qytetin e Vlorës. “Jam 17 vjeç, e fluturimin e kam nisur që kur kam qenë fëmijë i shoqëruar nga babai im. Pasi ai është shumë i apasionuar pas fluturimit. Vij nga Rusia dhe kjo është gara e parë që marr pjesë në një botëror. Fluturimi është sikur të përjetosh një ëndërr. Vlora më pëlqen shumë, është shumë paqe këtu” tha ai.
Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga nisja e botërorit, pilotët e ardhur deri tani vazhdojnë me intensitet provat në qytetin bregdetar.