AlbanianSport.com 30/11/2017 16:10
ASNN – “Kupa e Kombit 2017” quhet finalja e zhvilluar në malin e Dajtit në sportin e fluturimeve të lira në disiplinën e precizonit. Rreth 17 pilotë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë testuar pistën e re të ndërtuar në Malin e Dajtit në një lartësi prej rreth 1,000 m mbi nivelin e detit, në një veprimtari të organizuar me rastin e festave të nëntorit.
“Kjo është kupa e kombit, edicioni i 5-të i saj, i cili zhvillohet në malin e Dajtit ku do të kthehet në një traditë dhe do të mbetet këtu përgjithmonë”, shprehet Artion Vreto, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Aeronautikës. Janë zhvilluar 4 ture të hedhjeve nga pista e re në malin e Dajtit, për të mbërritur në pikën e mbërritjes që ndodhej diku në periferi të Tiranës, ulja e secilit pilot përcaktonte dhe pikët e grumbulluara.
“Duhet të ulen në këtë pikën 0 që ka një diametër prej rreth 12 cm, çdo ulje jashtë saj matet më pas me cm, apo metra. Ndryshe nga sportet e tjera këtu sa më pak pikë të marrësh aq më shumë fiton”, – sqaron Alket Islami, Drejtori i Përgjithshëm i Aeronautikës Shqiptare. “Ishte shumë e vështirë ulja këtu sidomos kur i afrohesh tokës. Megjithatë kjo ishte një nga uljet e mija më të mira”, – thotë Silian Zani.
“Tashmë ne jemi shumë të vëllazëruar, Shqipëria dhe Kosova jemi një në këtë sport vetëm emrat na ndryshojnë se kampionatin dhe gjithçka e kemi të përbashkët”, -shprehet Avni Kuçi. Në përfundimin e kampionatit trofeun e fitoi Xhonatan Islami me 102 pikë i ndjekur nga Siljan Zani me 232 dhe Artjon Vreto me 293 pikë.