AlbanianSport.com 06.05.2017 22:45
ASNN – Kampionati i 9 -të Botëror i Fluturimeve të Lira në Precizion, i cili përgjatë 10 ditëve në vijim do të zhvillohet në Vlorë, ka ngritur sot siparin me ditën e parë të garave. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe ky Botëror, i pari i këtij lloji në Shqipëri, po transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në fakt, edhe ky transmetim pa ndërprerje në kanalin RTSH Sport, por, me alternime edhe në RTSH 1 HD, ka qenë një risi në vetvete sa i përket regjisë televizive, duke ofruar pamje spektakolare të rivierës shqiptare, por edhe me komentin e Erjon Xharos dhe pionierit të aeronatikës shqiptare, Alket Islamit, si dhe me lidhjet direkte nga Vlora me gazetarët Brikena Kuka dhe Dëfrim Met’hasani.
Kështu, pas ceremonisë së hapjes, të zhvilluar të premten paradreke, ka nisur të shtunën paradite në bregdetin e Vlorës Kampionati i 9 -të Botëror i Fluturimeve të Lira në Precizion. Në këtë Botëror marrin pjesë rreth 150 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës.
Për 10 ditë do të ketë jo vetëm sport ekstrem, por edhe ekspoze turizmi, që do ta kthejë bregdetin vlonjat në skenë të hapur natyrore mes sportit të qiellit dhe trashëgimisë kulturore në tokë. Të shtunën kanë nisur garat e para dhe seanca e paradites ka zgjatur për mëse dy orë.
Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt edhe seancën e pasdites, ku të 150 pjesëmarrësit kanë kryer fluturimin e tyre të dytë.