AlbanianSport.com 04.10.2014 21:10
Trajneri i Serbisë, holandezi Dik Advokat, u druhet dy kundërshtarëve të radhës në Grupin I të Eliminatoreve të “Euro 2016″, Shqipërisë dhe Armenisë, por nga ana tjetër beson se formacioni i tij do të marrë maksimumin në këto dy sfida.
67-vjeçari holandez tregon se i njeh shumë mirë pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë, por këmbëngul se Serbia është një skuadër më cilësore se ajo e drejtuar nga italiani Xhovani De Biazi.
“Serbia synon të marrë pikë të plota në dy ndeshjet e ardhshme eliminatore, – ka deklaruar ai për mediat serbe pas shpalljes së listës të lojtarëve që ka thirrur për këto dy ndeshje eliminatore, ndaj Armenisë dhe Shqipërisë.
“Kemi një ekip të mirë, të cilit i besoj shumë, – ka vijuar ai. – Kam ndjesinë që do të kemi sukses në grupin tonë. Jam i kënaqur që po tregojmë shpirtin e grupit, aspekt që për mua është shumë i rëndësishëm dhe për të cilin kam këmbëngulur që kur e kam marrë drejtimin e Serbisë.”
“Shqipëria është një skuadër e fortë dhe e mirorganizuar në fazën mbrojtëse. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë shqiptarët dhe armenët, sepse janë shumë të rrezikshëm”, – ka përfunduar trajneri holandez i Serbisë, Dik Advokat.