AlbanianSport.com 23.01.2015 14:20
ASNN – Që Adnan Januzaj është i tepërt te Mançester Junajtid, ky nuk po përbën më lajm tashmë. E vetmja e panjohur në këtë mes është destinacion i tij. Sipas raportimeve më të fundit të mediave britanike, Mançester Junajtid po përgatitet t’ia japë Januzajn Realit të Madridit, duke mbetur me shpresë që, në shkëmbi të sjellë në “Olld Traford” yllin Gareth Bejl.
Uellsiani flitet se mund t’u bashkohet “Djajve të Kuq” këtë verë, edhe pse po kalon vetëm sezonin e dytë në “Santiago Bernabeu”. Ai pati nënshkruar me gjiganden spanjolle në verën e vitit 2013, duke ardhur nga Totenhemi kundrejt një shifre rekord prej afro 100 milionë eurosh, por mediat britanike shkruajnë se Mançester Junajtid është duke përgatitur një ofertë prej 140 milionë eurosh për Bejlin.
Madje gazetat britanike shkruajnë se Mançester Junajtid do të mundohet ta zbresë shifrën e parave që do t’i paguajë për Bejlin, duke ia ofruar në këtë paketë kampiones në fuqi të Evropës edhe Januzajn. 19 vjeçari kosovar, por me nënshtetësi belge, i cili ka kontratë afatgjate me klubin nga Premier Liga Angleze, flitet se mund të huazohet këtë muaj në ndonjë skuadër tjetër, pasi nuk po gjen hapësira në “Olld Traford”.