AlbanianSport.com 14.02.2017 12:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, rikthehet këtë mesjavë me takimet e para të fazës me eliminim të drejtpërdrejt, asaj të 16-shes, ku do të luhen të martë dhe të mërkurën ndeshje e para të 4 prej çifteve.
Dhe kompania e mirënjohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajisjeve sportive, “adidas” ka prezantuar topin që do të përdoret nga skuadrat më të mira të Evropës, që janë ende në garë për trofeun më të rëndësishëm të klubeve.
Për nder të Uellsit, vendit ku do të luhet finalja e madhe e këtij viti, dizenjimi i topit frymëzohet nga dragoi, simboli i kombit uellsian. Topi me emrin “Final Cardiff 2017” do të përdoret në ndeshjet e Ligës së Kampioneve nga 14 shkurti, deri më 3 qershor 2017.
Ndonëse teknologjikisht ky top është i njëjtëve atë të përdorur gjatë fazës së ndeshjeve në grupe të kësaj veprimtarie, topi uellsian premton një trajektore të përkryer, duke iu përgjigjur në maksimum llojit dhe dëshirës së lojtarit që e shkelmon atë.