AlbanianSport.com 12.01.2016 17:35
ASNN – Kompania e mirënjohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajisjeve sportive “adidas” ka krijuar një palë këpucë të veçanta për Lionel Mesin për të festuar “Topin e Artë”, të cilin e fitoi për të pestën herë në karrierën e tij. Ylli i Barcelonës mposhti dje Kristiano Ronaldon dhe Nejmarin për çmimin prestigjioz dhe për këtë, “adidas” ka vendosur që ta shpërblejë me një palë këpucë të veçanta.
Pasi realizoi 52 gola për klubin dhe kombëtaren e tij gjatë vitit 2015, arritja e madhe e Mesit është shpërblyer nga sponsori i tij me këpucë, në të cilat shpalosen pesë “Topa të Artë”, ndërsa në këpucën e djathtë shkruhet “Më i miri i të gjitha kohërave”. Ajo që duhet theksuar, është se këto janë këpucët e para që prodhohen vetëm për një lojtar.
Të bazuara në versionin e rregullt “adidas Messi 15.1” të këpucëve, edicioni special “adidas Messi Ballon d’Or 2015-2016” janë të bardha dhe me konture të arta. Skeleti ikonë i këpucëve “Adidas Messi 2015 Ballon d’Or” është me nuanca metalike platini, ndërsa stema e personalizuar e Mesit në pjesën e thembrës duket si e skalitur me metal.
“adidas”-i e ka personalizuar edhe më tepër këtë edicion special “Lionel Messi 2015 Ballon d’Or”, i gjithi me ngjyrë të bardhë, duke shkruar në spanjisht “El más grande de todos los tiempos” (“Më i madhi i të gjitha kohërave”) në brendësi të këpucës së djathtë të argjentinasit.
Përveç kësaj, 5 rrathë të stampuar vertikalisht mbi harkun e thembrës, në këpucën e majtë dhe atë të djathtë, si dhe në pjesën e brendshme të këpucës së majtë, simbolizojnë 5 “Topat e Artë”, ndërsa në llapën e këpucëve është ndërthurur fytyra e Mesit me logon e “adidas”-it.
Këpucët “adidas Messi 15.1 Edicioni Platin” janë identike me edicionin e rregullt, përveç lëkurës më të mirë argjentinase me shkëlqim perlash, të pasuruar me elementë të pastër të metalit të platinit. Si stema e Mesit, ashtu edhe ajo e “adidas”-it janë bërë me platin të vërtetë.
Të zbuluara vetëm një ditë pas ceremonisë së “Topit të Artë 2015”, “adidas”-i ka konfirmuar që tani “lajmin e keq” se këpucët e reja, “adidas Messi 15.1 Edicion Platin”, “nuk janë në shitje”. Në fund të fundit, ato janë bërë vetëm për një njeri, që deri më tani ka arritur atë që s’e kishte arritur dot asnjeri.