AlbanianSport.com 12.11.2016 19:05
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, ka prezantuar sot, gjatë një ceremonie të zhvilluar në kryeqytetin rus, Moskë, topin që do të përdoret në Kupën e Konfederatave të vitit 2017.
Topi i prodhuar nga kompania “adidas”, sponsor teknik i FIFA-s, është pagëzuar me emrin “Krasava” dhe në dizenjon e tij spikat ngjyra e kuqe dhe ajo e zezë të krijuara në një formë që përfaqëson rubinin rus, i përkufizuar nga FIFA si guri i çmuar metaforik i lojës së futbollit.
Struktura e “Krasava”-s është e njëjta si ajo e topit të përdorur gjatë fazës eliminatore dhe asaj finale të Evropianit të Francës, por, sipas “adidas” ai do të ofrojë edhe një sërë risish.
Gjatë muajve të verës, topi “Krasava” do t’i nënshtrohet një sërë testeve të cilat do të kryhen nga skuadrat kampione të 6 kontinenteve; Australia, Kili, Meksika, Zelanda e Re, Portugalia, kampionia e Afrikës si dhe Gjermania, kampionia në fuqi e botës.
Rusia, si vendi organizator i Kupës së Konfederatave të vitit 2017, do ta testojë topin e ri, “Krasava” në ndeshjen miqësore që do të luajë në Groznji ndaj Rumanisë, më 15 nëntor 2016.