AlbanianSport.com 11.06.2016 15:20
ASNN – Ajo është padyshim kompania “lider” në tregun botëror dhe ky Evropian ka shërbyer thjesht për ta rikonfirmuar një gjë të tillë. Kjo sepse firma e mirënjohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajisjeve sportive, “adidas” do të veshë afro 40 % të ekipeve pjesëmarrës në edicionin e 15-të të Kampionatit kontinental të futbollit, duke i lënë prapa rivalet e saj.
Janë plot 9 ekipe përfaqësuese, nga 24 gjithsej, që do të vishen nga kompania e famshme gjermane, e cila ka fituar bindshëm garën ndaj rivales së saj amerikane, “Nike”, që vesh vetëm 6 përfaqësuese, por edhe ndaj kompanisë tjetër gjermane, “Puma”, ndërsa 4 përfaqësuese të tjera vishen nga kompani të vogla dhe relativisht të panjohura.
Ato janë Shqipëria (Macron), Rumania (Joma), Islanda (Errea) dhe Irlanda (Umbro). Kjo tregon edhe një herë superioritetin e kësaj firme në botën e sotme të sportit, ndërsa duhet theksuar se një tjetër aspekt që e dëshmon një gjë të tillë është edhe fakti se edhe topi zyrtar i Kampionateve Evropiane, ashtu sikundër edhe atyre botërore, është përej mëse një gjysmë shekulli, “adidas”.
Midis përfaqësueseve që vishen me uniformat me 3 vijat e famshme janë kampionia në fuqi e botës, Gjermania, dhe kampionia në fuqi e Evropës, Spanja, të dyja këto pretendente për kurorën kontinentale. Po kështu, “adidas” vesh edhe një skuadër që premton të bëjë surprizën në këtë Evropian, Belgjikën, por edhe Suedinë e udhëhequr nga një lojtar i jashtëzakonshëm, si Zllatan Ibrahimoviç.
Duhet kujtuar këtu se “adidas” ka veshur skuadrën “kampione” të Evropës që nga viti 1996 e deri më sot (Gjermani, Francë, Greqi, Spanjë, Spanjë), ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për dy Kampionatet e fundit Botërorë, që janë fituar nga Spanja dhe Gjermania. Madje, finalja e Botërorit të fundit, “Brazil 2014”, ishte një duel i gjithi “adidas”, ku Gjermania mposhti Spanjën me një gol në shtesë.