Gjergj Vyshka 23.01.2015 17:15
Presidenti i Adës, Alfred Pjetri, ka deklaruar se skuadra do të mbijetojë në Kategorinë e Parë edhe pse për momentin është në vendin e fundit në grupin e Veriut me 8 pikë. Skuadra, që është krijuar më 1996, ka bërë përforcime, teksa deri më tani ka marrë gjashtë lojtarë, pesë nga Veleçiku dhe një nga Besëlidhja. Ada e Velipojës përfaqëson një komunë që ka jo pak të ardhura nga plazhi i mrekullueshëm, por më shumë kjo skuadër është mbajtur me donacione të ndryshme.
Dhe një person, i cili nuk i është ndarë asnjëherë Adës, që nga themelimi i saj e deri më sot, është presidenti aktual Alfred Pjetri. “Shpeshherë kam menduar ta shkrij këtë ekip, – ka thënë presidenti Pjetri për faqen zyrtare në “Facebook” të klubit të futbollit Ada. – Kur askush nuk kujtohet, kur askush nuk ka dëshirë t’i përmendet emri, pse duhet unë të sakrifikoj vit pas viti për ta mbajtur në kategori. Megjithatë më djeg shpirti për këtë skuadër.”
“Kjo sepse kam qenë një nga themeluesit e saj 19 vjet më parë dhe që atëherë nuk jam larguar asnjëherë prej Adës”, – ka shtuar ai. Por çfarë do të ndodhë me këtë skuadër e cila pozicionohet për momentin në vendin e fundit në renditje në grupin e saj? Bashkë me drejtorin teknik Brikeno Bizi dhe me trajnerin Kreshnik Krepi janë të angazhuar maksimalisht çdo ditë për të ndërtuar ekipin që duhet për gjysmën e dytë të sezonit. Ajo që vërehet nga jashtë është një ide disi e çmendur e drejtuesve të Veleçikut dhe atyre të Adës për t’i marrë lojtarë njëra-tjetrës.
I pyetur për këtë gjë, presidenti Pjetri do ta mohonte në një farë mënyre kur deklaron: “Mund të duket e tillë, por nuk është aspak kështu. Nuk kam tentuar asnjëherë t’i marrë trajnerin, apo lojtarët Veleçikut. Trajneri Krepi pati dhënë dorëheqjen nga koplikasit dhe preferoi të vinte tek ne. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve janë edhe disa futbollistë të skuadrës koplikase që kanë shfaqur dëshirën të jenë pjesë e jona. Mund të them vetëm kaq; Ada i ka pasur dhe do t’i ketë dyert e hapura për çdo futbollist.”
“Kush dëshiron të luajë për ne është i mirëpritur, kush do të largohet nga ne nuk do ketë asnjë pengesë. Ne u jemi borxhlinj nga ana morale për atë çfarë kanë bërë për skuadrën tonë dhe nuk do t’i pengojmë asnjëherë për t’u larguar. E rëndësishme është që në radhët e Adës të mbesin lojtarë që kanë dëshirë të kontribuojnë për të dhe me gjithë vështirësitë financiare që kemi do të bëjmë çmos ta shpëtojmë edhe sivjet nga rënia prej kategorisë”, – ka përfunduar presidenti i Adës së Velipojës, Alfred Pjetri.