AlbanianSport.com 31.01.2015 11:55
ASNN – Ada e Velipojës ka luajtur miqësoren e dytë të periudhës përgatitore dimërore, teksa ka pasur përballë të rinjtë e Vllaznisë, të cilët janë në vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore për Nën-19-vjeçarët. Skuadra e trajnerit Krepi, edhe pse ka bërë disa përforcime, teksa kanë ardhur pesë apo gjashtë lojtarë nga Veleçiku, sërish e ka pasur ekipin në provë.
Të paktën sipas faqes në “Facebook” të klubit të futbollit, Ada ka provuar 22 futbollistë. Që do të thotë se ende nuk e ka konsoliduar skuadrën me të cilën kërkon të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Ndeshja miqësore me të rinjtë e Vllaznisë ka përfunduar në barazim 1-1. Të parët kanë shënuar shkodranët e rinj në minutën e 70-të. Por pas pesë minutash ka barazuar për velipojakët Denis Çokaj.
Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se Ada më 7 shkurt 2015, kohë në të cilën nis dhe pjesa e dytë e sezonit në Kategorinë e Parë, ka një ndeshje të vështirë në fushën e vet, pasi do të përballet me Mamurrasin. Gjithsesi Ada duhet parë dhe duhet pritur për atë që do të prodhojë në fushën e lojës zyrtarisht në kampionat.