AlbanianSport.com 15.08.2015 16:40
ASNN – Një surprizë e bukur vjen nga Ada e Velipojës. Pesë futbollistë koreano-jugorë kanë mbërritur në Shkodër dhe i janë bashkuar në stërvitje Adës së Velipojës me shpresën se do të jenë pjesë e tij në sezonin e ri. Lajmi konfirmohet për mediet sportive nga presidenti Pjetri, i cili bën të ditur se ardhja e koreano-jugorëve është bërë falë një marrëveshje me disa miq të tij nga Ulqini.
Futbollistët e mësipërm kanë zbarkuar kohët e fundit në Mal të Zi dhe një pjesë e tyre do të sistemohen tek “Otrant”, ndërsa pjesa tjetër pritet të federohet me Adën. Një gjë e tillë ka ngrohur ambientin rreth skuadrës velipojake dhe trajneri Alban Noga, që tashmë duket më shumë entuziast në punën e tij. Në seancat e para stërvitore me ekipin ai ka pasur në dispozicion rreth 20 futbollistë, ndërsa në ditët në vijim ky numër do të vijë duke u rritur dhe po ashtu edhe me ardhjen e pesë koreanëve, rivaliteti pritet të shtohet edhe më shumë.
“Falë këtij bashkëpunim, që po shoqërohet me ardhjen e këtyre futbollistëve koreanë, mendoj se cilësia e ekipit tonë do të rritet dhe në sezonin e ri Ada nuk do të ketë thjesht pretendime për të qëndruar në kategori, – ka thënë presidenti Pjetri. – Do të shohim edhe për më lart, megjithatë do të presim edhe pak ditë sa skuadra të marrë formën e saj të plotë dhe më pas do të përcaktojmë objektivat që do të kemi.”