Gjergj Vyshka 09.02.2015 19:55
Në kushtet kur ende nuk dihet se kur do të luhet Ada Velipojë-Mamurrasi, velipojakët kanë zbardhur listën e futbollistëve që kanë afruar nga tregu i lëvizjeve të lojtarëve në dimër. Nuk janë pak, por plot 11 futbollistë për skuadrën e Kreshnik Krepi. Dhe lista nis me portierin e ardhur nga Besëlidhja, Elson Demi.
Mandej vazhdon me mbrojtësin e Laçit, Mateo Zefin, mesfushorin e Burrelit, Sajmir Hyseni. Po kështu nga Laçi ka ardhur dhe mesfushori Artan Thorja, ndërsa pjesa më e madhe e përforcimeve për skuadrën e Krepit ka mbërritur nga Veleçiku. Dhe ka ndodhur kështu, edhe sepse trajneri i velipojakëve e njeh mirë këtë ekip.
Kështu janë afruar mesfushori Vahedin Pepa, mbrojtësit Taulant Nikshiq, Erbet Hoti, Enis Ibraj dhe Alban Bruçi. Dhe në fund sulmuesi Hysmir Idrizi dhe Besar Mustafaj. Me të gjithë këto lojtarë, por dhe pjesën tjetër të skuadrës, e cila e përballoi në një farë mënyre pjesën e parë të sezonit, Ada shpreson në mbijetesën në Kategorinë e Parë.