AlbanianSport.com 31.05.2015 07:55
ASNN – Me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve nga aksidentet automobilistike është zhvilluar në mjediset e Institutit “Harri Fultz” në Tiranë një veprimtari sportive me biçikleta. Në të merrnin pjesë fëmijë të moshës 10-12 vjeç, të përzgjedhur nga 40 shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit dhe kjo veprimtari u organizua nga “Automobile Club Albania” (ACA).
Në formën e një konkursi edukativ me biçikleta, veprimtaria zhvillohet prej 5 vitesh me fëmijë të moshave 10-12 vjeç. Kjo veprimtari ka për qëllim njohjen e fëmijëve me sinjalistikën rrugore dhe edukimin me rregullat e qarkullimit, me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve nga aksidentet automobilistike.
Synimi kryesor është që, nëpërmjet fëmijëve, të sensibilizohen prindërit dhe të rriturit. Ky aktivitet është pjesë e konkursit evropian “Europian Traffic Education Contest”, që organizohet prej 28 vitesh në kuadrin e programeve të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.
Të shtunën, në mjediset e Institutit “Harry Fultz” në Tiranë, u organizua finalja e pestë e këtij eventi, ku morën pjesë 10 djem e 10 vajza, të përzgjedhur pas fazës eliminatore në 40 shkolla të kryeqytetit.