AlbanianSport.com 25/10/2018 22:10
ASNN – Disa shkrime dhe qëndrime aspak dinjitoze të disa tifozëve që pretendojnë se janë grupime, por edhe shkrime të ndryshme në rrjetin e madh të portaleve shqipfolëse që mbijnë si kërpudhat pas shiut, dhe ku cilësoheshin tifogrupi “Plisat” në Kosovë se kishin tradhëtuar përfaqësuesen kosovare për atë të një “vendi fqinj” (nënkupton Shqipërinë), ka bërë të reagojë fort tifo-grupi më i madh i Kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi”.
“Përshëndetje! – shkruhet në qëndrimin e grupit të njohur të tifozëve. – Të nderuar, në vazhdën e përçarjeve dhe shkrimeve tendencioze dhe me qëllim të krijimit të një klime urrejtje mes Kosovës e Shqipërisë dhe anasjelltas, i ashtuquajturi portali “Periskopi”, redaksia e sportit, ka botuar një artikull të titulluar: ”Tradhëti e organizuar: Plisat organizim për ta shpërfillur Kosovën, do të shkojnë ta përkrahin shtetin fqinj”. Kjo, paraqet gjuhë të urrejtjes, është tendencë për të krijuar armiqësi mes shqiptarëve në veçanti atyre që frekuentojnë këtë të ashtuquajtur portal.”
“Për të minimizuar këto shkrime në të ardhmen, dhe për të dhënë një mësim edhe për të tjera faqe, që të mos botojnë tituj të tillë paragjykues dhe fyes në të njëjtën kohë, ju ftojmë t’i bashkoheni aksionit për t’i bërë “report” në faqen e “Facebook”-ut. Kosova ishte shqiptare, është shqiptare dhe do mbetet përgjithmonë, dhe kjo jo për inat të dikujt, por se janë rrënjë të ujituna me gjakun e dëshmorëve tash e 2000 vjet. Faleminderit paraprakisht!”, – përfundojnë “Tifozat Kuq e Zi”.