Nga Gjergj Vyshka 03.03.2017 15:25
Projektligji i ri i Sportit është diskutuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit edhe mes gazetarëve sportivë. Një gjë që për të cilën ka këmbëngulur vetë deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, si hartuesi i këtij ligji. “Sepse pa dëgjuar mirë palët e interesit ky ligj nuk ka për të kaluar, – ka thënë ai. – Pra sportistë, trajnerë, biznesmenë, gazetarë, prindër, fëmijë, pasi vetëm kështu ky ligj mund t’i rezistojë kohës. Dhe mos harroni që më 2012-ën na ka ikur Elis Guri, sepse bënim sport pa ligje.”
“Na ka ikur më 2014-ën Sahit Prizreni në Australi për 30 mijë euro dhe prapë s’kishim, – ka vijuar Ylli. – Sot kemi një projektligj ndër më të mirët e viteve të fundit dhe të gjithëve u themi si ta bëjmë më mirë. Sepse nuk shkuam rastësisht në Francë me kombëtaren e futbollit, por kështu duam t’i kemi të gjitha sportet. Kemi bërë stadiumin e Elbasanit dhe Shkodrës, parkun olimpik në Tiranë e Korçë, palestra për shkollat. Pra është investuar për sportin sa nuk është bërë në këto 25 vjet.”
Por çengeli më i madh është administrimi i parkut olimpik, sidomos në ish-kompleksin “Dinamo”, sepse tashmë ajo si qendër i ka kaluar Bashkisë së Tiranë dhe në ato mjedise ka ardhur Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Pa harruar qendrën olimpike në Korçë, e cila po kështu administrohet nga Bashkia. Në diskutimet e kësaj pike, propozimi ishte që administrimi i tyre të kalojë te qeveria qendrore për një sërë arsyesh, një prej të cilave ka të bëjë me aspektin financiar.
Gjë që e mbrojti dhe deputeti Ylli. “Sepse nuk ka qendër olimpike në botë që të administrohet nga Bashkitë, – ka thënë ai. – Ku është parë e dëgjuar që t’i merret qira Federatave për zyra, apo t’u thuash peshëngritësve “dilni ju nga palestra se kam aktivitet”. Apo në Korçë hiqet pista e atletikës për rekreacion. Në të gjitha qendrat olimpike që kemi shëtitur, së bashku dhe me zëvendësministrin Dimraj, kemi parë që administrohen nga qeveritë qendrore.”
Tjetër pikë që u diskutua në takimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve ishte edhe statuti i klubeve të futbollit. Sipas projektligjit të ri, Bashkitë do të kenë 6 muaj kohë për t’u dhënë statut të ri klubeve që kanë nën administrimin e tyre që nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në të njëjtën kohë, me anë të këtij drafti, synohet t’u jepet më shumë pavarsi federatave sportive, duke u lënë shumë gjëra në dorë të statuteve të vetë institucioneve.
Në logjikë pranohet që nuk mund të ketë president të përjetshëm, por që të ndërhysh për të kufizuar mandatin e tyre është ndërhyrje në pavarësitë e Federatave. “Sepse, – ka thënë sekretari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca, – i do komuniteti edhe kur janë 70 vjeç”. Njohja e KAS-it, vendosja e shpërblimit për titullin “kampion” Ballkani, antidopingu, orët e mësimit të edukimit fizik, apo dhe të tjera si këto janë diskutuar mes gazetarësh dhe Ministrisë.
Të pranishëm kanë qenë Fatmir Mëneri (analist sportiv), Blerim Jahaj (kryeredaktori i Sport Ekspres) dhe Gjergj Vyshka, Jetmir Halilaj (kryeredaktori i Panorama Sport), Brikena Kuka (TVSH), Drilon Xhepollari (Telesport), Endi Tufa dhe Elert Yzeiri (Top-Channel) dhe Agron Kaja (Telegraf). E përballë medies Plarent Ndreca (sekretari i përgjithshëm i MAS), Vladimir Gjonaj (drejtori i sporteve në MAS), Arjan Konomi (shefi i sportit elitar) dhe Elvira Baze (shefja e sportit shkollor).
Medias iu mor mendim, tashmë do të ketë konsultime të tjera me të gjithë palët e prekura direkt nga Ligji i Sportit dhe do të shihet sa do të reflektohen në ligj diskutimet, për të mos qenë takime sa “për sy e faqe”.