AlbanianSport.com 07.12.2014 19:50
ASNN – Pogradeci ka triumfuar ndaj Dinamos me gola dhe lojë bindëse. Sulmuesi Pengu tregoi se e mban fjalën për të shënuar. Golit të tij ia pasuan dhe ato të Rrapos dhe Topllarit, të cilët zhvlerësuan golin e Imamit. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, deklaroi: “Gjatë javëve të para të kampionatit kemi patur ngërç psikologjik, ku kemi prodhuar lojë, por kemi qenë të pafat.”
“Pas fitores në Ballsh, me Dinamon vinim më me shumë forcë, – ka vijuar ai. – Sigurisht me besim dhe të mobilizuar. Pjesën e parë patëm një mosbesim, ndërsa në të dytën u çliruam dhe dolën me një lojë që prodhoi gola. Kjo fitore më kënaq. Në vazhdim do të shikoni një Pogradec tjetër në fushën e lojës. Mendoj se do të ecim mirë. Përgëzoj djemtë, publikun, por edhe gjyqtarët për gjykimin tepër korrekt.”
Ndërsa homologu i tij kryeqytetas, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka vajtuar shpërdorimin e rasteve nga ana e skuadrës së tij. “Ndeshja kishte dy tablo, atje ku në pjesën e parë u paraqitëm mirë, por po nuk shënove e pëson, – ka theksuar kreu i pankinës së bluve kryeqytetas. – Golat e kundërshtarit ishin të shpejtë dhe mbas të dytit filloi reagimi.”
“Patëm epërsi territoriale. E kërkuam fitoren, por është e pafalshme që ne 3-4 raste të kundërshtarit të pësojmë në portën tonë. Golat ndikuan në aspektin psikologjik dhe duhej të ishin më kërkues. Krijojmë volum, por humbasim shumë. Dinamo do të kërkojë me ngulm kreun, pavarësisht problemeve që kemi me terrenin”, – ka përfunduar trajneri Dritan Mehmeti.