AlbanianSport.com 25/04/2020 16:25
ASNN – Teksa epidemia e koronavirusit ka nisur të ulë shifrat e saj, si të të numrit të të infektuarve, por edhe të viktimave, teksa është rritur ndjeshëm numri i të shëruarve, është rritur po ashtu edhe dëshira për t’u kthyer në normalitet dhe një nga rrafshet ku kjo dëshirë është më e madhe dhe më e prekshme është sporti. Për këtë arsye janë rritur hamendësimet se kur njerëzit do të fillojnë të shijojnë sportin në përgjithësi, e aq më tepër, futbollin në veçanti.
Kështu po bëhen gjithnjë e më të zëshëm spekulimet se Premier Liga Angleze synon që edicionin e mbetur pezull në mes të marsit, të vazhdojë më 8 qershor 2020, por pa praninë e shikuesve në stadiume. Sipas të përditshmes britanike, “The Times”, edicioni aktual në nivelin më të lartë të kampionatin anglez të futbollit mund të përfundojë më 27 korrik 2020. Sipas kësaj të përditshmeje, drejtuesit e futbollit së bashku me organet tjera të sportit kanë zhvilluar për këtë qëllim biseda me qeverinë britanike.
Hëpërhë, në Premier Ligën Angleze duhet të zhvillohen edhe 92 ndeshje. Edicioni është pezulluar më 13 mars, ndërsa Liverpuli është fare pranë titullit “kampion”. E përditshmja në fjalë raporton se ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve, me maksimalisht 400 vetë në stadium, duke përfshirë mediat. Parashikohen testime të rregullta për koronavirus e po ashtu shtim të hapësirave të dhomave të zhveshjeve, me synim për të mbajtur distancën social.
Një ide tjetër, por që vlen për një diskutim të mëvonshëm, është që më 22 gusht të fillojë edicioni i ardhshëm.