AlbanianSport.com 25/03/2020 22:35
ASNN – Mançester Siti u pezullua për dy vjet, pa mundur të garojë në Ligën e Kampionëve, si dhe u dënua të paguante një gjobë prej 30 milionë eurosh, për shkeljen e rregullave të “Fair Play”-it fianciar të UEFA-s. Por klubi njoftoi kohë më parë se ata do të apelonin, në mënyrë që të përpiqen të shtyjnë këtë sanksion të paktën si masë paraprake, duke marrë kështu kohë dhe duke shpresuar gjithmonë se dënimi do të zvogëlohet me të paktën një vit.
Por duket, se skuadra e udhëhequr nga Pep Guardiola e ka armikun në shtëpi. Sipas të përditshme britanike “Daily Mail”, 8 nga 10 skuadrat që aktualisht janë në gjysmën më të lartë të renditjes, janë bërë bashkë për të mos lejuar apelimin e Sitit. Ndërkohë që gjyqi vazhdon të vonohet nga koronavirusi. Liverpuli, Leister Siti, Çellsi, Mançester Junajtid, Vulverhempton, Totenhami, Arsenali dhe Bërnli kanë shkruar një letër të veçantë për të njëjtën firmë juridike.
Ata i kanë kërkuar asaj të paraqesi një padi të përbashkët në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), me qëllim që të mos bëhet një apel i tillë nga ana e Mançester Sitit. Ekipet e forta në ligën angleze mendojnë se ndërsa Sity ka shkelur rregullat, ata kanë vazhduar të luajnë në Ligën e Kampionëve, gjë që duhej t’i përkiste një klubi tjetër. Ata mendojnë se kjo do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë që KAS të shtyjë vendimin për të thënë fjalën e fundit.
Gazeta britanike, ndërkohë, siguron qëm të paktën deri më 17 mars 2020, CAS-i ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë apelimi nga klubi i Mançester Sitit.