AlbanianSport.com 24/03/2018 13:25
ASNN – Lamberto Boranga, i cili 30 tetorin e vitit të shkuar mbushi 75 vjeç, është gati për t’u kthyer në fushën e blertë. Ai është federuar ditët e fundit me Marotezen, skuadrën markexhiane të Kategorisë së 3-të. Ai ka zgjedhur skuadrën e Marotës, aty ku, si fëmijë, gjatë verës ai bënte spektakël në plazh, derisa një ditë e pikasi gazetari i njohur Nando Martelini e pa dhe i dha shkas një karriere të shkëlqyer si portier, gjatë së cilës veshi fanellën e Peruxhias, Fiorentinës, Rexhianës, Breshias, Çezenës, Varezes, Parmës dhe Folinos.
“Futbolli do të mbetet gjithmonë jeta ime, edhe pse në ditët e sotme i përkushtohem kryesisht atletikës së lehtë, e pranon ai, – dhe kur të kthehem në fushë, pavarsisht kategorisë së kampionatit, do të përjetoj të njëjtat emocione si atëherë kur debutoja në Serinë A. Nuk kërkoj sfida të veçanta, por unë e dashuroj sfidën në të gjitha aspektet dhe ndjehem I aftë për të luajtur me entuziazëm, për t’u marrë me sport çdo ditë, me atletikë e me not, për të mos pirë duhan, për të ngrënë shëndetshëm dhe për të mos e tepruar.”
Portieri 75-vjeçar nuk e ka për herë të parë rikthimin në fushë në nivele amatore, pasi e bënte më 1993-in me ekipin e Bastardos, në Umbria, pastaj më 2010-n me Ameton e më 2015-ën me Papianon, në Kategorinë e Dytë. Tanimë, i bindur nga presidenti Mario Arkilei, ka zgjedhur Marotezen, që synon të fitojë kampionatin, teksa mban hëpërhë vendin e dytë në renditje. Disa javë më parë, Boranga fitonte dy medalje ari në Kampionatin Italiani të Atletikës në Salla të Mbyllura për Veteranët. Me pak fjalë, rasti i Lamberto Borangës na sjell ndërmend batutën e famshme, “Vitet tutje, ti tëhu!”