Gjergj Vyshka 20.03.2017 09:00
70 vjet Erzeni në volejboll për meshkuj, ndërsa festa e shijakasve ka qenë festa e të gjithë rrjetës vendëse. Sepse në një nga lokalet pranë Rinasit janë mbledhur gati 190 veta. Të gjithë ata që kanë bërë historinë e volejbollit shqiptar në klubet Dinamo, Partizani, Tirana (dikur “17 Nëntori”), Elbasani (dikur “Labinoti”), Teuta (dikur “Lokomotiva”), “Dajti”, Skënderbeu, Flamurtari, Butrinti.
Emra të mëdhenj të tillë si Vangjel Koja, Ylli Tomorri, Hysen Domi, Shaban Uka, Leonard Tase, Mark Krroqi, Xhino Mjeda etj, etj, janë bërë të gjithë bashkë në një tavolinë. Ashtu sikurse kanë qenë edhe më 2012-ën, ndërsa të dyja festat, sidomos kjo e Erzenit, kanë një iniciator të përbashkët, Agron Dukën. Ish-lojtari i Erzenit, por dhe ish-presidenti i këtij ekipi, së bashku me Armando Dukën, duke pasur lojtarët më të mirë të vendit në atë periudhë e bëri Erzenin 3 herë “kampion” të Shqipërisë.
1996-1997, 1997-1998 dhe 1998-1999 janë 3 trofe kampioni për Erzenin, shoqëruar me Kupa të Shqipërisë, Superkupë e Kupë të Federatës Shqiptare të Volejbollit. Pa harruar këtu kalimin e një turi në Kupën e Kampioneve, ndërsa do të eliminonin moldavët Moldavia Hidromash (3-0 dhe 2-3). Dhe e gjithë kjo arritje, në një hark kohor prej tre vjetësh, e bën Erzenin legjendë. Ndaj dhe të gjithë kanë ardhur ta urojnë në 70-vjetorin e krijimit të klubit.
Agron Duka ka qenë ai që ka mbajtur fjalën hapëse. Më pas dhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, e në fund dhe një emër legjende i trainingut shqiptar si Vangjel Koja. Por në festën e shijakasve, nuk kanë munguar as Parodistët e Vlorës, as këngëtar të mirënjohur e as grupi i valltarëve, të cilët kështu i kanë dhënë tjetër pamje festës shijakase.