Gjergj Vyshka 19.05.2015 20:25
60 vjet me sportet e ujit, ai është i rrallë për nga llojet e sportit në të cilët është “kampion”. Gjyqtar në katër disiplina sportive, shkodrani i fortë mbetet unik për atë që bën përditë. Rreth një muaj më parë, në kuadrin e Kampionatit kombëtar të të rriturve dhe të rinjve në not në pishinën 25 metërshe, Federata Shqiptare e Notit ka nderuar me titullin “Mirënjohje” një nga figurat dhe kuadrot e saj më të ndritur.
Është fjala për Emin Lishin, i cili sot është 70 vjeç, por ka mbi gjashtë dekada që merret me notin. Asnjëherë i mërzitur me ujin, sepse ai vjen nga Shkodra, një qytet i rrethuar në të katër anët nga uji. Diku Lumi, diku liqeni e diku detit e nuk kish si ndodhte ndryshe, ndërsa Emin Lishi do të përfitonte nga kjo dhuratë e natyrës duke e kthyer më pas në një traditë familjare.
Aq më tepër që si udhërrëfyes ka pasur të vëllain Mendu Lishin, i cili në vitet 1952-1953 ka qenë kampion në not e në vaterpolo. E kështu do të vazhdonte dhe Emini, i cili dhe sot nuk heq dorë nga të bërit not. Një trup i beshëm, i fortë, muskuloz dhe pa asnjë rrudhë, ndërsa kurrsesi nuk mund ta japi përshtypjen se sot është 70 vjeç. Por ai dhe uji janë një.
E jo vetëm kaq, por Emin Lishi është po aq i fortë në boks, në vaterpolo, në bilardo dhe në hipizëm. E për rrjedhojë, me shumë medalje e tituj të ardhura nga disiplinat e tjera, Emin Lishi mund të konsiderohet si babai i notit shqiptar. Jashtë sportit, Emin Lishi është një bashkëshort i mirë, i martuar me tre fëmijë. Por si shkodran, nuk mund të rrinte jashtë fushës së muzikës.
Për katër vjet ka qenë shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, 1974-1978. Dhe traditën e muzikës e ka marrë djali, i cili ka qenë një nga saksofonistët më të mirë të orkestrës së Top Channelit, gjë të cilën vazhdon ta bëjë dhe sot. Në tërësinë e vet një figurë shumëplanëshe dhe madhështor për atë që ka bërë për sportin shqiptar, ndërsa Emin Lishi me plot gojë konsiderohet babai i notit shqiptar.
Vijon nesër…