AlbanianSport.com 30/01/2021 20:55
ASNN – Zhvillimi i Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, do të tregojë unitetin global, si provë e fitores së njerëzimit mbi virusin. Kështu është shprehur, kryeministri i Japonisë, Suga, në Forumin vjetor Botëror Ekonomik. Ai siguroi edhe njëherë, se Olimpiada do të bëhet. Kryeministri japonez Yoshihide Suga u zotua sërish se do ta zhvillojë Olimpiadën si një simbol të unitetit dhe shpresës, megjithë dyshimet në rritje mbi fatin e kësaj ngjarje të rëndësishme sportive, të shtyrë nga virusi.
“Japonia do të zhvillojë Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios këtë verë”, – tha Suga në Forumin vjetor Botëror Ekonomik, të mbajtur në internet ndërsa epidemia e virusit korona vazhdon të jetë shumë aktive në të gjithë botën. “Unë jam i vendosur të realizoj Lojërat që do t’i sjellin shpresë dhe guxim botës, si provë e fitores së njerëzimit mbi virusin dhe si një simbol i unitetit global”, – shtoi ai. Toni i tij i ashpër u bëri jehonë organizatorëve të Lojërave Olimpike të Tokios dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Këta të fundit këmbëngulën këtë javë që Lojërat do të vazhdojnë në mënyrë të sigurt. Por me shumë vende ende të paralizuara nga “Covid-19” dhe pjesë të mëdha të Japonisë, përfshirë Tokion, nën një gjendje të jashtëzakonshme, shqetësimi është në rritje për ecurinë e kësaj veprimtarie të madhe ndërkombëtare, që do të fillojë në 23 korrik 2021. Ngjarja e parë e provës Olimpike të Tokios për vitin 2021, një konkurs artistik noti i planifikuar për në mars, u shty për dy muaj për shkak të kufizimeve të udhëtimit.
Në dhjetor, shefat e “Tokio 2020” prezantuan një rregullore anti-virus prej 53 faqesh, me të cilën ata thonë se do të lejojnë që Lojërat të mbahen në mënyrë të sigurt edhe pa u detyruar të vaksinojnë të gjithë pjesëmarrësit.