AlbanianSport.com 22/12/2018 19:50
ASNN – 50-vjetori i ndeshjes së madhe me Oransodën, Partizani i Fagut me shokë do të dekorohet nga Presidenti. Ishte planifikuar që më 18 dhjetor, në kuadër të 50-vjetorit të ndeshjes së madhe të basketbollit midis Partizanit legjendar të koshit shqiptar dhe kampionit të Italisë, Oransodës, Presidenti i Republikës të ndante dekorata të veçanta për protagonistët e asaj ndeshjeje të madhe, që la gjurmë në basketbollin shqiptar dhe konsiderohet si një prej ndeshjeve më të mëdha të përfaqësimit të koshit kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Ndeshja në fjalë, në kuadër të Kupës së Kampioneve të Evropës, u luajt më 18 dhjetor 1968, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë dhe është ndjekur nga e pakta 3500 vetë brenda impiantit dhe po kaq nga jashtë tij, duke krijuar një atmosferë elektrizuese në kryeqytetin shqiptar të asaj kohe, një ndeshje që do të mbahet mend për rezultatin dhe paraqitjen mbresëlënëse të ekipit tonë me lojtarë të fuqishëm si Fagu, Përmeti, Kasmi, Pali etj. Ndeshja u mbyll barazim 73-73, një takim ku shkëlqeu sidomos Agim Fagu me 48 pikë, një paraqitje që bëri bujë në Evropë atë vit.
Për shkak të jehohës, imazhit dhe njëherësh motivimit shpirtëror për brezat e rinj, ky brez i artë lojtarësh dhe trajnerësh do të dekorohen nga Presidenti i vendit Ilir Meta. Ceremonia e vlerësimit të figurave të shquara të koshit të Partizanit është caktuar të bëhet më 28 dhjetor 2018 dhe do të shënojë një pikë kulmore në këtë 50-vjetor të një prej ndeshjeve më të famshme në historinë e basketbollit shqiptar.