AlbanianSport.com 19/09/2019 20:55
ASNN – Triumfojnë vendaset në 8 ndeshje, vetëm një barazim dhe 3 fitore të ekipeve udhëtuese. Liga e Evropës ka nisur të enjten rrugëtimin me fazën e grupeve dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë gjithçka nga ky sezon i veprimtarisë së dytë të futbollit të klubeve të kontinentit. 6 nga grupet e para i kanë luajtur takimet e para duke nisur nga ora 19:00.
Dhe, në grupin A, luksemburgasit e Dudelonzhit kanë shtangur në Qipro APOEL-in e Nikozisë, duke e mundur 4-3, ndërsa fitore në fushë të huaj korri në takimin tjetër edhe Sevilja, që triumfoi 3-0 në Azerbajxhan ndaj Karabargut. Në grupin B, të dyja ndeshjet u mbyllën me fitoret minimale të vendaseve, pasi Dinamo mundi në Kiev 1-0 Malmon, ashtu sikundër bëri në Danimarkë edhe FC Kobenhaveni ndaj Luganos.
Edhe në grupin C, Bazeli dhe Hetafeja kanë korrur fitore në fushën e vet, por, teksa spanjollët kanë ngadhënjyer me një gol të vetëm ndaj Trabzonsporit, zviceranët nuk janë kursyer përballë rusëve të Krasnodarit, duke i shpartalluar me rezultatin e thellë 5-0. Në grupin D, Rozenborgu është mundur minimalisht në Austri përballë LASK-së, ndërsa PSV Eind’hoveni ka triumfuar në shtëpi ndaj Sportingut të Lisbonës, duke i mundur portugezët me rezultatin 3-2.
Një rezultat i papritur është edhe ai që rumunët e Kluzhit arritën në shtëpi ndaj Lacios, duke i mundur italianët me rezultatin 2-1. Ndërsa në duelin tjetër të grupit E, Rena dhe Sëlltiku kanë shënuar nga një pikë secila dhe kanë ndarë nga një pikë, ndërsa në grupin F, Arsenali mundi 3-0 Eintrahtin në Gjermani, ndërsa Standardi i Liezhit nuk ka gabuar në shtëpi, duke fituar 2-0 ndaj portugezëve të Vitorias së Gimaraeshit.