AlbanianSport.com 13/03/2019 19:15
ASNN – Kategoria Superiore është ndërprerë për momentin dhe pritet të rikthehet në fundjavë, ku padyshim java e 25-të do të sjellë përplasje të forta për pozitat e skuadrave dhe gara tani e tutje bëhet e egër në kuptimin e plotës të fjalës. Natyrisht, Partizani, Kukësi dhe Teuta vijojnë të jenë pretendente për titull, megjithëse të kuqtë kanë më shumë shanse sepse ndodhen 6 pikë para në klasifikim nga vendi i dytë që mbahet prej verilindorëve.
Pas treshes së parë janë tre skuadra të tjera që lakmojnë një surprizë në Ligën e Evropas, ku përfshihen Laçi, Skënderbeu dhe Flamurtari me diferencë të vogël pikësh me njëri-tjetrin. Sa i takon fundit të tabelës, duke qenë se Kamza është përjashtuar, i bie që Tirana, Luftëtari dhe Kastrioti të ndajnë mundësitë e shpëtimit pasi njëra prej tyre do të bjerë nga kategoria. Për momentin Kastrioti është më i rrezikuar, ndërsa Tirana më lart dhe më e qetë.
Por fundit nuk i dihet dhe gara për mbijetesë mund të rezultojë po aq e fortë sa edhe për trofeun. Në këtë fazë të garës, është për t’u evidentuar se 3 trajnerë po bëjnë çudira dhe të 3 ata janë të fundit të tabelës. Kështu, Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli kanë marrë pikë me Luftëtatin dhe Kastriotin në 5 javë më shumë sesa kishin marrë ekipet e tyre në 15 javët e mëparshme. Nuk mund të kuptohet kjo ecuri e Kastriotit dhe Luftëtarit, por me Devollin dhe Ahmatajn skuadrat po ecin mjaft mirë.
Madje po ua sjellin “majë hundës” edhe ekipeve pretendente. Ka dhe një trajner tjetër që kompleton trion e mbijetesës me një ecuri të kënaqshme. Është Ardian Mema i Tiranës. Në fillim hasi në vështirësi, kjo dhe për arsyen se skuadra nuk i përgjigjej si duhet, por me kalimin e javëve, Tirana e Memës është shndërruar në një skuadër e nivelit të lartë, aq sa edhe rivalët për titull nuk fitojnë dot me Tiranën. Fundja, është mëkat për këtë emër të madh të luftojë në zonën e ftohtë të tabelës.
Pasi Tirana, 24-herë kampione e Shqipërisë, duhej të ishte rivale për titull. Sidoqoftë, ecuria e javëve të fundit e trajnerit Mema në krye të bardhebluve ka qenë mbresëlënëse. Në 5 ndeshjet e fundit, ka grumbulluar 9 pikë, po aq sa Kukësi dhe një pikë më pak se Partizani që ka grumbulluar 10 pikë. Nëse Tirana e ruan këtë ritëm, ajo jo vetëm do ta sigurojë mbijetesën dhe mund të synojë trofeun e Kupës së Shqipërisë, por mund të kushtëzojë edhe fatet e kampionatit.
Partizani e provoi forcën e saj dhe trajneri Skënder Gega duhet të ketë dalë i kënaqur që në këtë fazë të 3-të mori barazim, sepse Tirana ka kaluar krizën dhe është tani një skuadër që luan “për qejf”, duke u prishur punë pretendentëve. Kush nuk e merre seriozisht është i destinuar të pësojë disfatë. Pra 3 trajnerë po bëjnë çudira në kampionat: Ahmataj i Luftëtarit, Devolli i Kastriotit dhe padyshim Mema i Tiranës. Skuadrat u përgjigjen trajnerëve dhe rezultatet janë dëshmi e këtij konstatimi.