AlbanianSport.com 23.01.2015 19:35
ASNN – Vetëm pak ditë pasi u zgjodh president i klubit të Parmës, Ermir Kodra ka dhënëintervistën e tij të parë. Duke folur për paketën me pagesë të transmetimeve televizive sportive “Supersport”, presidenti më i ri në moshë në historinë e futbollit italian ka zbuluar një nga tratativat më të rëndësishme në merkato, siç ishte ajo me Mario Balotelin.
Në fakt, në Itali u surprizuan të gjithë, jo më shumë për faktin se ishte shqiptar, por sepse Ermir Kodra u bë president i Parmës edhe pse është vetëm 29-vjeç. Tashmë me një rekord personal si presidenti më i ri në moshë në historinë e Serisë A, shqiptari Kodra ka dhënë intervistën e tij të parë për “Supersport”. Po kush është në fakt Ermir Kodra?
“Jam Ermir Kodra, vij nga bota e biznesit, – ka deklaruar lushnjari, duke folur për “Supersport”. – Kam mbaruar “Fakultetin e Ekonomisë” në “Universitetin e Tiranës” dhe kam 7 vjet që punoj në fushën e hidrokarbureve. Konsorciuimi “Dastraso” ka blerë shumicën e aksioneve të Parmës. Unë përfaqësoj “Dastraso Holding”, që është një kompani hidrokarbure.
“Dhe hapi i parë që ne kemi bërë në fushën e sportit është këtu në Itali, por që kompania jonë do të operojë dhe në fushën e hidrokarbureve, ku është pika e saj kryesore në shtetin italian”, – ka shtuar Ermir Kodra, i cili e merr drejtimin e Parmës në një periudhë të vështirë për klubin. Në këtë sezon të futbollit italian, skuadra renditet në vendin e fundit, ndërsa objektivi është qëndrimi në Serinë A.
“Gjendja financiare e klubit të Parmës nuk them që është optimale, madje është e rënduar por ne kemi strategjinë dhe besimin se klubi i Parmës me investimet që do të bëjmë do të rregullohet si në planin financiar, gjithashtu dhe në atë sportiv, – ka theksuar Kodra. Ne po bëjmë maksimumin dhe japim garancinë se po punojmë për zgjidhjen e problemeve financiare dhe mbi të gjitha për atë që është pjesa më e rëndësishme, qëndrimin në Serie A”.
Kodra ka zbuluar një tratativë, që nëse do të ishte finalizuar do të cilësohej si më e bujshmja e merkatos së janarit në futbollin italian. “Siç e keni parë, deri tani ne jemi duke bërë afrime shumë cilësore, – ka theksuar 29-vjeçari. – Jemi në kërkim të një sulmuesi, të një top-player. Me dëshpërim ju konfirmoj që nuk kemi arritur të mbyllim marrëveshjen me Balotelin por që gjithsesi jemi ende në kërkim të një lojtari të madh”.
Zyrtarisht, Ermir Kodra përfaqëson interesat e konsorciumit ruso-qipriot “Dastraso Holding”, pas të cilit sipas mediave italiane qëndron biznesmeni shqiptar Rezart Taçi.