AlbanianSport.com 28.05.2016 12:55
ASNN – Paraditja e së shtunës ishte e gjitha për pushim për kombëtaren e shqiptare në rezidencën e saj në Austri. De Biazi la pushim futbollistët përpara nisjes drejt Hatbergut, ku kuqezinjtë do të luajnë të dielën miqësoren kundër Katarit. Ajo e të premtes pasdite ishte seanca e fundit stërvitore e kombëtares së Shqipërisë në rezidencën e saj në Bad Valtersdorf.
Trajneri Xhovani de Biazi u dha ngarkesën e fundit futbollistëve kuqezi përpara miqësores kundër Katarit që do të luhet të dielën në stadiumin e Hatbergut, rreth 60 kilometra larg vendit ku skuadra shqiptare po përgatitet që nga fillimi i javës në Austri. Pas seancës stërvitore ishte radha e surprizave. Një e tillë iu bë sulmuesit Armando Sadiku, i cili festoi ditëlindjen e tij të 25-të në grumbullimin me kombëtaren.
Nuk kishte tortë, por ëmbëlsira për festën e futbollistit ishte “strudeli” i famshëm austriak. Atmosfera pozitive në kombëtaren e Shqipërisë vijoi edhe paraditen e së shtunës. Futbollistët u lanë të lirë, ndërsa disa prej tyre preferuan xhirot me biçikletë në natyrë. Të tjerë vijuan stërvitjen në palestër, ndërsa kishte edhe nga ata që shijuan pushimin.
De Biazi e shfrytëzoi pushimin për intervistën e radhës me gazetarët e huaj që kanë vizituar shpesh rezidencën e kombëtares shqiptare. Përpara nisjes drejt Hatbergut, ku përfaqësuesja kuqezi do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku do luhet miqësorja ndaj Katarit, trajneri kuqezi zhvilloi edhe një mbledhje me stafin dhe futbollistët e tij për të diskutuar ecurinë e ditëve të para të grumbullimit në Austri në prag të debutimit në Euro 2016.