Nga Adriatik Balla 09.09.2015 19:05
Shanset që Shqipëria të sigurojë një kualifikim të drejtpërdrejtë në Kampionatin Evropian “Francë 2016” janë të mëdha. Madje ka disa opsione, por më e mira e mundshme dhe që nuk lë shkas për interpretim dhe varësi nga ndeshjet e tjera në grup është fitorja në të dy ndeshjet e mbetura eliminatore, përkatësisht ndaj Serbisë më 8 tetor dhe ndaj Armenisë më 11 tetor 2015. Janë pra disa opsione kualifikimi për Shqipërinë në “Francë 2016”, por njëra është dhe fitorja e Portugalisë ndaj Danimarkës në Braga në mbrëmjen e 8 tetorit.
Një humbje e danezëve u jep shanse kuqezinjve që edhe me dy pikë të arrijnë të kualifikohen, që do të thotë me nga një barazim në secilin takim. Por dyshohet shumë që Portugalia dhe Danimarka mund të bien në ujdi, pra për një fitore të danezëve, e cila, në mungesë të dy fitoreve nga Shqipëria në këto duele të mbetura të Eliminatoreve, çon në Evropian pikërisht Portugalinë dhe Danimarkën. Kuqezinjtë që e besojnë këtë skenar nuk janë të paktë, madje dyshimet për një “kompromis” të mundshëm kanë nisur të qarkullojnë në rrjetet sociale.
Dhe nuk është e rastësishme që edhe kapiteni Lorik Cana, por edhe lojtarë të tjerë të Kombëtares, deri tek presidenti i FSHF-së, Armando Duka, insistojnë për një lojë “fair-play”. Kur kanë mbetur 180 minutat e fundit të Eliminatoreve, rivalët në grupin I kanë marrë lapsin në dorë për të bërë llogaritë. Sidomos kjo është e natyrshme për Shqipërinë, e cila ka disa opsione kualifikimi, pasi ka dy ndeshje në kalendar për të zhvilluar, dukshëm favorite ndaj Danimarkës, e cila ka dhe një duel të vetëm, atë përballë Portugalisë më 8 tetor 2015.
Taktikat në fushë shkojnë paralel me llogaritë në letër për të arritur objektivin e kualifikimit në “Euro 2016”. Në rastin e Shqipërisë, ekzistojnë disa skenarë për të siguruar biletën direkte në Francë. Në dy ndeshjet e mbetura, kombëtarja duhet të marrë të paktën dy pikë ose një fitore, për të siguruar vendin e dytë në Grupin I. Nëse Portugalia fiton me Danimarkën më 8 tetor 2015, kuqezinjve mund t’u mjaftonte një sukses hipotetik përballë Serbisë. Minimalisht ekipi i De Biazit nuk duhet të humbasë në ndeshjen e fundit në Elbasan Arena dhe më pas të synojë një pikë edhe në Armeni.
Fati i kombëtares është i lidhur ngushtë me sfidën në Bragë. Situata ndërlikohet nëse danezët barazojnë në tokën luzitane, duke bërë që Shqipërisë t’i nevojitet me patjetër një fitore në dy takime. Nëse Danimarka triumfon në Portugali, atëherë misioni bëhet më i vështirë. Kuqezinjtë do të detyroheshin t’i fitonin të dyja ndeshjet e tetorit për t’u kualifikuar direkt në Francë. Kualifikimi direkt nga grupi, synohet edhe sepse gara për vendin e tretë më të mirë është komplikuar, ndërsa “play-off” është një zgjidhje “nga halli”, por që mbart shumë të panjohura.