ASNN – Shahu do të jetë pjesë e programeve mësimore nga klasa e parë deri në të 12-tën. Kjo është marrëveshja që është arritur midis Federatës Botërore të Shahut dhe Ministrisë së Arsimit. Ky projekt ka marrë më parë edhe miratimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Kështu, një projekt u ri për sportin do të marrë jetë në shkollat tona.
Bëhet fjalë për shahun, i cili do të jetë pjesë e programeve mësimore nga klasa e parë deri në të 12-tën, duke filluar nga shtatori i ardhshëm. Për këtë qëllim, presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Zurab Azmaparaishvili ka zhvilluar një takim me zëvendësiministrin e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Rauf Dimraj dhe drejtorin e sportit në MAS, Vladimir Gjonaj.
Zëvendësministri Dimraj ka theksuar se projekti i shahut në shkolla ka marrë miratimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Ndërsa, nga ana e tij, presidenti i Federatës Botërore të Shahut (FIDE), Azmaparaishvili theksoi faktin se “shahu në shkolla është një projekt i vjetër, i cili, aty ku është praktikuar, ka treguar se ndikon mjaft në zhvillimin mendor të fëmijëve”.
“Janë mbi 10 shtete të Bashkimit Evropian që e kanë përfshirë në mësimdhënie që në klasat e para sportin e shahut, – ka theksuar ai. – Për këtë arsye, i kemi kërkuar Bashkimit Evropian që të ndihmojë që shahu të jetë pjesë e programeve mësimore nëpër shkollat e shteteve të ndryshme.” Presidenti Azmaparaishvili, zv.ministri Dimraj dhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Lajmeve, Majlinda Pilinci kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Shahut në programin mësimor.
I pranishëm në takim ishte edhe kampioni i shahut shqiptar, Mjeshtri i Madh Erald Dervishi.