AlbanianSport.com 22/09/2018 18:00
ASNN – Kastrioti dhe Laçi ndanë nga një pikë në barazimin 1-1. Krutanët me 10 lojtarë në të gjithë pjesën e dytë gjetën golin e epërsisë. Rezultatin e ruajtën deri në minutën e fundit, por laçianët gjetën rrjetën me anë të Fangajt. Edhe Laçi luajti me 10 lojtarë 25 minutat e fundit të takimit.
Kështu, pati gola e kartona të kuq, por nuk pati fitues në Kastrioti-Laçi. Është mbyllur në barazim takimi i vlefshëm për javën e 5-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në Stadiumin “Redi Maloku” të dyja skuadrat barazuan 1-1 duke marrë nga një pikë secila.
Ishte një sfidë që pati brenda saj edhe 2 kartona të kuq; nga 1 për çdo skuadër; Çela për Kastriotin dhe Najdenov për Laçin ishin ata që u ndëshkuan në këtë ndeshje. Kur u duk se gjithçka po shkonte drejt një rezultati 0-0, Kastrioti e zhbllokoi atë me anë të Xhunior në minutën e 79-të të sfidës.
Ekuilibri zgjati vetëm 10 minuta pasi në të 89-ën minutë Laçi barazoi me golin e Fangajt. Pas kësaj ndeshjeje, Laçi shkon në 7 pikë, po aq sa edhe Flamurtari, duke mbajtur përkatësisht vendin e 4-t dhe të 5-të, ndërsa Kastrioti ngjitet në kuotën e 4 pikëve, në vendin e parafundit.