ASNN – Futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave vlerësohen sipas shumë treguesve dhe e vërteta është se asnjëherë studiuesit, tifozët, analistët, optimistët dhe skeptikët, nuk merren vesh për më të mirin, jo vetëm për shkak të preferencave personale, por edhe se në kohë të ndryshme futbolli shfaq cilësi të ndryshme dhe natyrisht shpejtësi të ndryshme. E thënë ndryshe, duke bërë një gjykim të caktuar për një futbollist që luan aktualisht në fushë, nuk mund të jesh kaq i përpiktë për të bërë gjykimin e një futbollisti që ka luajtur para 70 apo 80 vjetësh.
“AlbanianSport.com” sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit të kombit shqiptar. E dimë, lexuesit mund të mos kënaqen me këtë radhitje, aq më pak njerëzit që kanë luajtur vetë futboll dhe mund të kenë preferenca të ndryshme, madje ne as nuk pretendojmë të jemi vlerësuesit më të mirë, por do të përpiqemi të krijojmë një ndarje për efekt radhitjeje, sepse secili prej tyre e shumë të tjerë jashtë listës e meritojnë të jenë të pranishëm këtu.
Para se të dalim në emrat konkretë, duhet të përmendim këtu edhe disa lojtarë që kanë shkëlqyer me talentin dhe lojën e tyre, të tillë si Stërmasi, Gjinali, Dinella, vëllezërit Ballgjini, Çeço, Rragami, Hafizi, Përnaska, Zëri, Minga, Kola, Muça, Petro e Vasil Ruci, Ziaji, Taho, Alimehmeti, Shulku, Skela, Tare, Bogdani, Strakosha, V. Sinani, Muka, Jupi, Salihi e shumë e shumë të tjerë. Të 11 të përzgjedhurit tanë po vijnë për ju çdo ditë përgjatë 11 ditëve në vijim, duke nisur nga e marta.
- Fadil Vokrri – Më i madh i futbollit në Kosovë
Fadil Vokrri lindi më 23 korrik 1960 në Podujevë të Kosovës, në atë kohë nën sundimin e ish-Jugosllavisë. Ka pasur një karrierë të pasur e të suksesshme. Ai e nisi me Prishtinën, por kulmin e regjistroi me Partizanin e Beogradit, me të cilin luajti 55 ndeshje dhe shënoi 18 gola. Por Vokrri ka pasur një karrierë të spikatur edhe me shumë skuadra franceze dhe në Turqi me Fenerbahçenë. Në 379 ndeshje në nivel klubesh, ka realizuar 128 gola.
Në kohën kur luante në Kosovë, e kanë quajtur edhe “Maradona” i Kosovës, pasi ishte i fortë dhe një driblues i lindur. Me përfaqësuesen e Jugosllavisë, e cila për kohën ka qenë një prej ekipeve më të mëdha të botës, ka luajtur midis viteve 1984-1987 ku në 12 ndeshje ka realizuar 6 gola. Përfshirja e tij në këtë listë mund të jetë për shumë vetë e padrejtë, pasi Vokrri nuk ka pasur kontribut me fanellën e Shqipërisë, por ne duhet të kuptojmë kohën kur ka luajtur ai dhe sistemin ku ndodheshim.
Nga lojtarët shqiptarë në tërësi, ai është prej atyre që ka ndërtuar karrierë të suksesshme me shumë skuadra të njohura evropiane. Për më tepër, pasi la futbollin e luajtur, Vokrri iu përkushtua ringritjes së futbollit të Kosovës dhe madje duke bashkëpunuar me FSHF-në për anëtarësimin e futbollit kosovar në UEFA e FIFA. Projekti i tij i qëndrueshëm së bashku me Armand Dukën për menaxhim të integruar të talenteve me origjinë kosovare ka qenë i suksesshëm.
Një atak kardiak i mori jetën më 9 qershor të vitit 2018, në moshën 58-vjeçare.