AlbanianSport.com 17/02/2019 12:15
ASNN – Futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave vlerësohen sipas shumë treguesve dhe e vërteta është se asnjëherë studiuesit, tifozët, analistët, optimistët dhe skeptikët, nuk merren vesh për më të mirin, jo vetëm për shkak të preferencave personale, por edhe se në kohë të ndryshme futbolli shfaq cilësi të ndryshme dhe natyrisht shpejtësi të ndryshme. E thënë ndryshe, duke bërë një gjykim të caktuar për një futbollist që luan aktualisht në fushë, nuk mund të jesh kaq i përpiktë për të bërë gjykimin e një futbollisti që ka luajtur para 70 apo 80 vjetësh.
“AlbanianSport.com” sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit të kombit shqiptar. E dimë, lexuesit mund të mos kënaqen me këtë radhitje, aq më pak njerëzit që kanë luajtur vetë futboll dhe mund të kenë preferenca të ndryshme, madje ne as nuk pretendojmë të jemi vlerësuesit më të mirë, por do të përpiqemi të krijojmë një ndarje për efekt radhitjeje, sepse secili prej tyre e shumë të tjerë jashtë listës e meritojnë të jenë të pranishëm këtu.
Para se të dalim në emrat konkretë, duhet të përmendim këtu edhe disa lojtarë që kanë shkëlqyer me talentin dhe lojën e tyre, të tillë si Stërmasi, Gjinali, Dinella, vëllezërit Ballgjini, Çeço, Rragami, Hafizi, Përnaska, Zëri, Minga, Kola, Muça, Petro e Vasil Ruci, Ziaji, Taho, Alimehmeti, Shulku, Skela, Tare, Bogdani, Strakosha, V. Sinani, Muka, Jupi, Salihi e shumë e shumë të tjerë. Të 11 të përzgjedhurit tanë po vijnë për ju çdo ditë përgjatë 11 ditëve në vijim, duke nisur nga e marta.
- Ali Mema – Klasi i tij është ende i paarritshëm
Ali Mema u lindi në Tiranë më 1 shkurt të vitit 1943. Nëse Tirana ka mundur të rivalizojë me Partizanin në kulmin e viteve të të kuqve, është meritë e një grupi lojtarësh që kanë shkruar histori. Dhe Tirana e vitit 1964 ka shkruar histori. Në këtë histori ka një emër që bën diferencë, ai është Ali Mema, një nga emrat e shquar të kësaj familjeje që ka nxjerrë shumë futbollistë.
Përfshirja në listë e Ali Memës është një nderim edhe për ata figura të shquar të futbollit shqiptar që rritën cilësinë e kampionatit dhe u ballafaquan me shumë dinjitet ndaj Gjermanisë (barazuan 0-0) në ndeshjen e shekullit në vitin 1967. Ka një karrierë mjaft të spikatur dhe pa frikë mund të thuhet se Ali Mema ka qenë mesfushori me tipare sulmuese më i miri që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Lojtar me kualitet të lartë teknik, që luajti me 17 nëntorit kryesisht, por në karrierën e tij i 12-vjeçare si profeisonist, Mema ka luajtur në Shkodër 2 vite me Vllazninë, si dhe një edicion me Partizanin. Me skuadrën përfaqësuese ka luajtur 14 ndeshje, shifër e lartë për kohën, sepse në atë periudhë kishte shumë pak ballafaqime ndërkombëtare. Sa ishte Ali Mema në fushë, 17 nëntori i atyre viteve shkëlqente.
Nëse do të kishte jetuar në vend tjetër dhe në kohë tjetër, Ali Mema mund të ishte një futbollist shumë i madh.