Gjergj Vyshka 04.05.2015 18:20
“Tirana Delfina Sport” e Shpëtim Hoxhës, në “Ditën e Sprinteve” është përfaqësuar me dy notare të moshës 13-14 vjeç. Sigurisht që kanë një veçanti, sepse janë dy vajza, të cilët për nga trashëgimia familjare duhet të ishin marrë ose me basketboll, ose me volejboll. Bëhet fjalë për Siria Çarçanin, e bija e ish-basketbollistit të Dinamos, Eduard Çarçani, dhe e ish-volejbollistet së Dinamos, Denisa Alla.
Dhe për Ines Memën, një tjetër vajzë basketbollisti të Dinamos, Dritan Memës, dhe volejbollistes së Dinamos, Blerina Shatkut. Dy vajza të gjata, shumë të përshtatshme për të notuar dhe për t’u bërë pse jo rekordmene e kampione. Madje ajo që tërheq vëmendjen e specialistëve duket se është Mema, ndërsa teksa e shohin duke notuar në Ditën e Sprinteve”, të gjithë mendojnë se është e atillë që bëhet cilësore.
Sikurse ndodh dhe me Çarçanin. Të dyja vajzat, pasi kanë qenë në kampionatin e fëmijëve në vendet e treta, në ditën e sprinteve janë fituese të dy garave. Mema në 50 dhe 100 metra stil i lirë, Çarçani në 50 dhe 100 metra shpinë. Krahasuar me kohët e kampionatit përmirësimet janë të dukshme. Kështu nëse Mema në kampionat në 100 metra stil i lirë ka qenë 1’30”30, dje ka qenë 1’24”22.
Nëse në 50 metra stil i lirë ka notuar në kampionat me 38”17, dje ka qenë 36”57. Çarcani në 100 metra shpinë nga 1’32”09 në 1’30”88 dhe në 50 metra shpinë nga 41”53 në 41”41. Janë ngjitur në podiumin e fituesit duke shpresuar që kështu do të jenë në vazhdim, sepse gjatësia natyrore duket se u jep epërsinë për të qenë edhe më cilësore se në “Ditën e Sprinteve”.
Mirëpo, edhe pse ndodh kështu, trajneri i Tirana Delfina Sport, Shpëtim Hoxha, nuk duket se ka qenë i kënaqur. Pranon që ka përmirësime, por shton: “Me gjatësinë që kanë pas gjashtë muajsh stërvitje mendoja dhe parashikoja se do të ishin në 50 metra stil i lirë 35 sekonda. Kanë përmirësime nga veprimtaria në veprimtari. Janë notare me të dhëna shumë të mira.”
“Por duhet të kishin tjetër rezultat. Megjithatë unë shpresoj shumë tek ajo që ato do të japin në verë”, ka përfunduar Hoxha, kurse Siria Çarçani dhe Ines Mema janë notarët që po vijnë e që duhen pritur si e ardhmja e këtij sporti në vend.