Marrë nga ABC News 20.04.2015 16:05
Gara për titullin “kampion” në Kategorinë Superiore hyn në sprintin final dhe Tirana ka kalendarin më të vështirë. Kur mbeten edhe pesë javë nga fundit i këtij sezoni të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, përballjet direkte dhe kalendari janë vendimtarë në garën për titullin “kampion”. Mes favoritëve, sfidat e mbetura favorizojnë Skënderbeun dhe Kukësin, ndërsa Tirana përballet me katër finale.
Në fakt, numërimi mbrapsht ka filluar. Gara për titullin kampion në Kategorinë Superiore ka hyrë në sprintin final, ndërsa kur mbeten edhe pesë javë nga finishi, skuadrat bëjnë llogaritë e tyre. Mbi të gjithë pretendentët për titullin “kampion”. Me Partizanin më larg titullit, tre janë ekipet që kërkojnë trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, Skënderbeu, Kukësi dhe Tirana.
Kampionët në fuqi, të drejtuar nga Mirel Josa, janë më afër titullit të 5-të radhazi me diferencë prej tri pikësh me ndjekësit. Sidoqoftë, përballjet direkte do të jenë vendimtare, e para ajo që do të luhet këtë fundjavë mes Kukësit dhe Skënderbeut. Nëse kalon me sukses këtë ndeshje, trofeu është më pranë korçarëve, që në përballjet e mbetura një sfidë të vështirë kanë vetëm vizitën e kryeqytetit kundër Tiranës.
Më pas, skuadra korçare, do ta mbyllë sezonin me sfidat ndaj Flamurtarit dhe Vllaznisë, dy skuadra jashtë çdo objektivi. Kalendari është thuajse i njëjtë për Kukësin, që ka një epërsi ndaj rivalëve vetëm faktin se luan në fushën e tij përballjet e drejtpërdrejta me Skënderbeun dhe Tiranën në javën e parafundit të kampionatit.
Por deri te sfida me bardheblutë, të besuarit e Artim Shaqirit duhet të kalojnë në fillim kryesuesit e renditjes. I ndryshëm është diskutimi për Tiranën, që ka edhe kalendarin kundër me 4 finale në pesë sfidat e mbetura. Bardheblutë e Magash Maganit nisin javët e fundit me ndeshjen kundër Laçit, skuadra që i ka marrë më shumë pikë në këtë sezon. Më pas vjen derbi kundër Partizanit, përpara se të luajë dy ndeshjet ndaj rivalëve direktë, me Skënderbeun në kryeqytet dhe Kukësin në fushë të huaj.