AlbanianSport.com 24/02/2022 14:10
ASNN – Importimi i talenteve që nuk kanë lindur në një vend për të arritur sukses për një vend tjetër, është një dukuri e përhapur në botën e sotme dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Ajo që nisi me trajnerët e huaj të Kombëtares së futbollit, duke nisur që nga Hans-Peter Brigeli e që arriti kulmin me Xhovani De Biazin, i cili e udhëhoqi Shqipërinë drejt pjesëmarrjes së parë në fazën finale të veprimtarie madhore, siç ishte Evropiani i 2016-ës në Francë, duket se po përhapet edhe në sportet e tjera.
Ndonëse duhet theksuar se talentet që Shqipëria e futbollit importoi në Kombëtaren e saj, ishin të gjithë shqiptarë në gjak, edhe pse mund të mos kishin lindur në Shqipëri, ose lojtarë të Kosovës që fanellën kuqezi e kishin si një pasaportë drejt Evropës në mungesë të njohjes si shtet i pavarur. Edhe pse është aluduar, por kryesisht vetëm nga media, për ndonjë lojtar të huaj që ka spikatur në periudha të huaja në kampionati shqiptar se mund të luante me Kombëtaren kuqezi, asnjë nga këto skenare nuk u materilizua.
Por duket se stafetën e futbollit e kanë marrë tashmë sportet e tjera, duke importuar madje edhe të huaj pa lidhje me Shqipërinë. Kështu, janë dy mundës çeçenë, me pasaportë ruse, Islam Dudaev e Zelimkhan Abakarov, të cilët janë duke e përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Madje ata kanë nisur të regjistrojnë sukseset e para me ngjyrat kuqezi, teksa më së fundi fituan medalje të arta në turneun botëror “DanKolov – Nikola”, të zhvilluar në Bullgari. Abakarov fitoi në kategorinë e peshës trupore deri 61 kilogramë në stilin e lirë.
Për të është medalja e dytë për pak javë, ndërsa 29-vjeçari më parë kishte përfaqësuar Rusinë. Ndërkohë medalje të artë fitoi edhe Islam Dudaev, në kategorinë e peshës trupore deri 65 kilogramë. Dy çeçenët po shihen si pretendëntë për të arritur suksese në Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Hungari në mars, çka përbën një risi teksa Shqipëria është mburrur me një sport që ajo e quan tradicional, siç është mundja.
Kohëve të fundit është bërë dukuri që sportistët nga shtetet tjera të përfaqësojnë Shqipërinë. Gjimnasti rus Matvei Petrov po e përfaqëson Shqipërinë, ndërsa fitoi të artën në Kampionatin Evropian të mbajtur në Mersin në vitin 2020. Ai përfaqësoi Shqipërinë edhe në Lojërat Olimpike të vitit të shkuar në Tokio, por ishte larg zonës së medaljeve. Ndërkohë po ashtu Shqipërinë në mundje po e përfaqëson italiani Marko Madaloni, ashtu sikundër kemi patur italianë që kanë garuar për ngjyrat kuqezi edhe në çiklizëm.
Basketbolli e ka bërë traditë këto vitet e fundit të ketë nga një amerikan në skuadër, ndërsa pasaportën shqiptare e ka marrë edhe një basketbolliste malazeze. Në volejboll, më 2017-ën, ish-pasuesja e Kombëtares së femrave, Sindi Marina, erdhi nga SHBA-ja për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi, ndërkohë që po në atë kohë, u rekrutua edhe një volejbolliste e lindur në Greqi dhe dy në Itali. Kemi patur madje edhe një notare të re amerikane që përfaqësoi Shqipërinë në një Olimpiadë Rinore në Argjentinë.
Po kështu, Shqipëria çoi edhe një skiator italian në Olimpiadën Dimërore Rinore, ashtu sikundër edhe Deno Xhepa, skiatori i vetëm shqiptar që garoi për ngjyrat kuqezi në “Pekin 2022”, nuk ka lindur në Shqipëri. Natyrisht, ky është një fenomen mbarëbotëror, por pyetja që lind natyrshëm është: Ka rreshtur së prodhuari talente Shqipëria në këto sporte, apo po zgjidhet rruga e shkurtër dhe, pse jo, më pak e kushtueshme apo mbase edhe më fitimprurëse e importimit të talenteve të gatshme jashtë vendit…?