Nga Adriatik Balla 07.06.2015 22:00
Sporti në Shqipëri po kalon një tranzicion të gjatë, diktuar nga kushtet e zhvillimit shoqëror në tërësi dhe shprehur me mungesën e kushteve të përshtatshme zhvillimore dhe, natyrisht, mungesat e strategjisë për të ardhmen e tij.
Absurdi më i madh në sportin tonë është se ka kontradiktë të thellë midis institucioneve dhe pasojat i vuajnë vazhdimisht sportistët dhe skuadrat në varësi të disiplinave përkatëse.
Kështu, mundja, edhe pse është një nga sportet me traditë në vendin tonë, ka vuajtur nga raportet e këqija ndër vite brenda gjirit të saj dhe ka gjetur një farë qetësie vitet e fundit, pasi vetë komuniteti ka marrë frenat në dorë.
Por përplasjet vijojnë, tashmë në formën e marrëdhënieve të tensionuara midis Federatës Shqiptare të Mundjes (MSHM) dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), apo mes federatës në fjalë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS).
Këto ditë Shqipëria merr pjesë në Lojërat Evropiane, i pari i këtij lloji, veprimtari që zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit. FSHM çoi tre emra në KOKSH, por ky i fundit e ndryshoi njërin nga sportistët.
Mënyra si u bë mund të jetë objekt i madh debati, por KOKSH ka mangësi të kësaj natyre dhe, kur është fjala veçanërisht për bursat olimpike, kjo është diçka e hershme dhe lipset që e gjitha kjo të ndryshojë.