AlbanianSport.com 05.02.2016 12:55
ASNN – Ndonëse për momentin mbetet vetëm një hipotezë, Spanja rrezikon të përjashtohet nga Evropiani “Francë 2016”. Arsye kryesore për këtë kërcënim të FIFA-s mbeten problemet që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e politikës në punimet e Federatës së Futbollit të Spanjës, dhe dyshimet se presidenti Angel Maria Vijar favorizon disa klube të caktuara.
FIFA e ka kërcënuar Spanjën se do të përjashtohet nga “Euro 2016”, në rast se nuk i kapërcen problemet me të cilat është duke u ballafaquar në Federatën e saj e Futbollit. Në fakt, ndonëse mbetet vetëm një hipotezë, presidenti i Këshillit Kombëtar të Sportit, Miguel Kardinal e ka pranuar rrezikun e një përjashtimi të tillë.
“Para disa muajsh kemi marrë një shkresë nga FIFA, në të cilën shkruante se Spanja mund të përjashtohet nga Euro 2016 nëse nuk i rregullojmë problemet e brendshme në Federatën e Futbollit”, – deklaroi zyrtari spanjoll për radio vendase. Problemet kanë të bëjnë me ndërhyrjen e politikës në punimet e Federatës së Futbollit të Spanjës, dhe dyshimet se presidenti Angel Maria Vijar favorizon disa klube të caktuara.
Spanja, e cila ndodhet në grupin D, së bashku me Republikën Çeke, Kroacinë dhe Turqinë, konsiderohet si një prej skuadrave favorite për të triumfuar në “Euro 2016” në Francë.