AlbanianSport.com 07/01/2024 17:55
ASNN – Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të saj që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet. Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova. Por ky vendim nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur.”
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Donika Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale falënderoi Madridin zyrtar, në gjuhën spanjolle, për këtë vendim. Më herët edhe Zv/Kryeministri Besnik Bislimi tha se Spanja iu shtua listës së shteteve që qytetarët do të mund të lëvizin pa pasur nevojë të pajisen me vizë. “Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës “Shengen” ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, – shkroi Bislimi në “Facebook”.
Që nga 1 janari 2024, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës “Shengen”, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. Spanja është mes 5 shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.
Njohja e pasaportave të Kosovës është përshëndetur edhe nga futbollisti i spikatur i përfaqësueses së saj, që militon në nivelin më të lartë të kampionatit spanjoll të futbollit, tek Majorka, Vedat Muriqi, i cili ka shprehur mirënjohjen e tij për të këtë vendim nëpërmjet një postimi të shkurtër në profilet e tij në mediat sociale.