AlbanianSport.com 22/04/2020 16:25
ASNN – Përtej dëshirës së madhe, duket se tanimë ata që vendosin nuk janë autoritetet e futbollit, por ata të politikës dhe për rrjedhojë, vendimet mund të mos jenë ato që do të kishin shpresuar qarqet sportive. Të mërkurën, qeveria italiane e frenoi jo pak dëshirën e Serisë A për të rifilluar kampionatin sa më shpejt që të jetë e mundur, duke deklaruar se do të duhet të mendohet mirë përpara sesa ta lejojë një gjë të tillë. Ministri i Sportit, Vinçenco Spadafora, u shpreh se për momentin mund të lejohen vetëm stërvitjet.
“Mund të rifillojnë stërvitjet në mënyrë graduale, – tha ai. – Do të jenë stërvitje individuale, edhe kur flitet për sporte kolektivë si futbolli. Për sa i përket rifillimit të kampionateve, do ta vlerësojmë në ditët në vazhdim, dhe do të këshillohemi edhe me Komitetin tonë Tekniko-Shkencor.” Një ditë më parë, drejtuesit e Ligës së Futbollit dhe Federata Italiane e Futbollit kishin marrë vendim unanim për të rifilluar Serinë A sa më shpejt që të ishte e mundur.
Në favor të këtij propozimi votuan të 20 klubet, duke lënë mënjanë polemikat dhe kundërshtitë e shfaqura deri më tani. Edhe nëse do të luhen, ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e spektatorëve në stadiume, por klubet do të shmangnin krizën e plotë financiare, sepse do të siguronin të paktën, të ardhurat nga televizioni dhe nga sponsorët. Seria A është ndërprerë që nga data 9 mars e këtij viti pasi Italia u godit nga epidemia e koronavirusit.
Kjo epidemi vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ka shkaktuar deri më tani rreth 25 000 të vdekur. Kështu, Ministri Italian i Sportit, Vinçenco Spadafora, ka thënë se një vendim se kur klubet në Itali do të mund t’u kthehen stërvitjeve do të merret në ditët e ardhshme. Spadafora është takuar me krerët e futbollit italian të mërkurën për të diskutuar se kur do të mund të rikthehet futbolli në vend pas pandemisë së koronavirusit. Ndonëse një datë nuk është caktuar, Spadafora ka thënë se pritet të konfirmohet së shpejti.
Ndërkohë, pritet që klubet t’u kthehen stërvitjeve nga fillimi i muajit të ardhshëm. “Kam dëgjuar me vëmendje të madhe, – ka sqaruar zyrtari italian. – Brenda pak ditëve, pas diskutimit me Ministrin e Shëndetësisë dhe Komitetin Teknik Shkencor, do të dalin me rregulla të përditësuara sa i përket mundësisë së rikthimit të seancave stërvitore. Në takim na është mundësuar të analizojmë aspektet e rikthimit të mundshëm në stërvitje në siguri maksimale për sportistët dhe trajnerët.”
Spadafora më herët të mërkurën ka thënë se sport nuk është vetëm futbolli e po ashtu futboll nuk është vetëm Serie A. Kështu që duhet menduar për sportet në përgjithësi, ka theksuar ai.