AlbanianSport.com 12.12.2015 11:35
ASNN – Të shtunën më datë 12 dhjetor, në ora 18:00, në Pallatin e Kongreseve të Parisit, do të hidhet shorti i fazës finale të Kampionatit të 16-të Evropian “Francë 2016”. Të 24 skuadrat finaliste do të njohin kundërshtarët e tyre të drejtpërdrejtë. Sot u nis për në Paris edhe delegacioni zyrtar i FSHF, që do të marrë pjesë në këtë short. Ai kryesohet nga Presidenti Armand Duka.
Në përbërje të tij, janë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Zv/Sekretari, Besnik Çela, trajneri i skuadrës Xhovani De Biazi, dhe menaxheri i saj Alban Bushi. Më herët drejt Francës, janë nisur edhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë Denis Bastari dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë edhe në seminarin e organizuar nga UEFA.
I pyetur për faqen zyrtare të FSHF, Presidenti Armand Duka është shprehur: “Nesër (sot) do të hyjmë zyrtarisht në fazën e finaleve, duke njohur edhe kundërshtarët tanë. Sigurisht, janë të gjitha skuadra të forta që i kanë merituar finalet. Nuk bëhet fjalë për preferenca. Ne do të bëjmë Evropianin tonë dhe po e përsëris, se në qershor, nuk do të shkojmë në Francë për pushime.”
Shqipëria do të bëjë pjesë në vazon e katërt, së bashku me Turqinë, Irlandën, Islandën, Uellsin dhe Irlandën e Veriut. Në vazon e parë, bëjnë pjesë këto skuadra: Spanja, Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika. Ndërkohë që është vendosur që Franca si vend organizator të jetë e parë në grupin A. Në vazon e dytë janë vendosur Italia, Rusia, Zvicra, Austria, Kroacia dhe Ukraina.
Ndërsa në vazon e tretë marrin pjesë Republika Ceke, Suedia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria. Është hera e parë që kombëtarja e Shqipërisë kualifikohet në një event, të përmasave të tilla, siç janë finalet e Kampionatit Evropian. Ato do të zhvillohen nga data 10 qershor, deri në 10 korrik 2016 në Francë.